Marrëdhëniet Britani-Rusi, May takon Putin: Mjaft me sjellje të papërgjegjshme

schedule21:15 - 28 Qershor, 2019

schedule 21:15 - 28 Qershor, 2019

Me një takim në kuadër të samitit të G20-s, kryeministrja Theresa Mej dhe presidenti Vladimir Putin janë përpjekur të ulin tensionet në marrëdhëniet Londër-Moskë. Me një shikim të ftohtë, shefja e qeverisë britanike ka kërkuar që pala ruse të ndryshojë qasje, ndërsa kreu i Kremlinit rifillimin e marrëdhënieve tregtare.

Kanë tentuar të shkrijnë akujt mes tyre, por pavarësisht përpjekjeve dhe një shtrëngimi modest duarsh palët kanë qëndruar ftohtë ndaj njëra-tjetrës. Në takimin e zhvilluar në Japoni në kuadër të samitit të G20-s, kryeministrja britanike Theresa Mej i kërkoi presidentit rus Vladimir Putin që Moska t’i japë fund sjelljeve të papërgjegjshme dhe destabilizuese të saj, nëse dëshiron që marrëdhëniet mes dy vendeve të përmirësohen.

Mej iu referua sulmeve me agjent nervor në Sallisbëri të Anglisë, për të cilat Londra fajëson Kremlinin. Lidhur me rastin në fjalë, Mej kërkoi ekstradimin e dy të dyshuarve rusë, me qëllim që të dalin përpara drejtësisë.

“Përdorimi i agjentëve nervorë në rrugët e Sallisbërit ishte një sjellje e papranueshme, që çoi për më tepër në vdekjen e një shtetaseje britanike”, tha Mej.

Megjithatë, shefja e qeverisë britanike u shpreh e hapur për përmirësimin e marrëdhënieve, por nënvizoi se për ta arritur këtë Rusia duhet të ndryshojë taktikat e saj.

Nga ana tjetër, sipas një njoftimi për shtyp të Kremlinit, presidenti Putin i ofroi zonjës Mej përgjigje të sakta lidhur me rastin e ish-spiunit Sergei Skripal, si dhe foli për nevojën e rikthimit të marrëdhënieve tregtare mes Britanisë dhe Rusisë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!