Beppe Marota, CEO i klubit të Interit, ka qenë sot krah trajnerit të ri, Simone Inzaghi. Për mediat ai ka folur për zgjedhjen e bërë, si dhe për shitjen e Hakimi, situatën financiare të klubit dhe për hapjen e stadiumeve, që shikohet si diçka shumë e rëndësishme për sezonin e ri futbollistik.
“Një sezon i ri nis dhe është kënaqësi të prezantojmë para jush trajnerin Simone Inzaghi. Projekti i Interit vazhdon, duke ia besuar skuadrën një trajneri të ri, por që ka shumë eksperiencë. Ai është një nga më të suksesshmit, ka profilin e duhur dhe personifikon vlerat e këtij klubi.
Jemi në kohë pandemie dhe problemet ekonomike ekzistojnë. Bota po kërkon një model që të jep qëndrueshmëri dhe vazhdimësi. Jemi larg modelit të vjetër sportiv. Interi synon të vazhdojë në linjën e historisë së këtij klubi, të fitojë, por duke respektuar buxhetin dhe bilancet.
Duam të ndërtojmë skuadër konkurruese në përputhje me bilancet ekonomike. Po përballemi me situata të pakëndshme, bota e futbollit është në telashe dhe do të duhen disa miliarda euro. Ekuacioni që kush shpenzon më shumë, fiton më shumë, nuk është gjithmonë i vlefshëm. Janë bërë zgjedhje të dhimbshme, siç është shitja e Hakimit. E bëmë për të vazhduar projektin”.
HAPJA E STADIUMEVE – “Shpresojmë që tifozët të kthehen së shpejti. Stadiumet bosh janë të trishtuara. I kërkoj qeverisë të rihapë stadiumet në fillim të kampionët. Dialogu është i rëndësishëm për këtë pjesë. La Lega Serie A dhe qeveria po flasin. Jemi në kushtet kur miliona njerëz në Itali janë vaksinuar.
Sporti mund të ndihmojë edhe për vaksinimin, Po shkojmë drejt rihapjes dhe nuk është nëse do jetë e plotë apo e pjesshme. Të luash pa tifozë është shqetësuese. Interi tashmë i ka humbur 100 milion euro vetëm prej pandemisë”, tha Marotta. /abcnews.al