Shefi ekzekutiv i kompanisë së teknologjisë Meta, Mark Zuckerberg, ka akuzuar SHBA-në për “inkurajim” të censurës globale. Shefi i platformave Meta njoftoi një rishqyrtim gjithëpërfshirës të politikave të moderimit të përmbajtjes në Facebook dhe Instagram.
“SHBA-ja ka mbrojtjen më të fuqishme kushtetuese për shprehjen e lirë në botë”, tha Zuckerberg në një video të postuar në Facebook, duke theksuar nevojën për lidershipin amerikan në mbrojtjen e fjalës së lirë në nivel global.
Zuckerberg tha se presioni i fundit i SHBA-së mbi kompanitë e teknologjisë “ka inkurajuar qeveritë e tjera të shkojnë edhe më larg” me përpjekjet e censurës.
“Gjatë katër viteve të fundit ka qenë aq e vështirë sa që edhe qeveria amerikane ka nxitur censurë”, theksoi Zuckerberg.
Zuckerberg njoftoi planet për të bashkëpunuar me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, i cili do të kthehet në detyrë më 20 janar, për të kundërshtuar atë që shefi i Meta-s e përshkroi si presion global në rritje të censurës.
Ai në mënyrë specifike theksoi shqetësimet për ligjet evropiane të përmbajtjes, gjykatat sekrete të Amerikës Latine që urdhërojnë heqjen e përmbajtjes dhe kufizimet kineze në platformat ndërkombëtare.
Shënime të komunitetit Meta
Më tej, shefi i platformave Meta shpjegoi hapat që kompania e tij do të ndërmarrë për të rritur lirinë e fjalës dhe për të reduktuar censurën në platformat e saj,
Fillimisht, në një ndryshim të madh politikash, Meta do të eliminojë sistemin e kontrollit të fakteve, duke e zëvendësuar atë me një veçori të shënimeve të komunitetit të ngjashëm me platformën X, edhe atë duke filluar nga SHBA-ja.
Zuckerberg pranoi se derisa sistemi u zbatua me “mirëbesim” pas zgjedhjeve të vitit 2016, kontrolluesit e fakteve “kanë qenë shumë të njëanshëm politikisht dhe më shumë kanë shkatërruar besimin sesa e kanë krijuar”.
– Politika të thjeshtuara të përmbajtjes
Gjiganti i teknologjisë gjithashtu planifikon të eliminojë kufizime të shumta të përmbajtjes, veçanërisht rreth temave të ndjeshme.
“Ajo që filloi si një lëvizje për të qenë më gjithëpërfshirëse është përdorur gjithnjë e më shumë për të mbyllur opinionet”, tha Zuckerberg, duke premtuar më shumë hapësirë për kënvështrime të ndryshme.
Meta gjithashtu do të ndryshojë qasjen e moderimit të përmbajtjes, duke lëvizur nga sistemet automatike të filtrimit që skanojnë për shkelje të politikave.
Strategjia e re do të fokusohet kryesisht në shkelje të paligjshme dhe me rreptësi të lartë, ndërsa çështjet me rreptësi më të ulët do të kërkojnë raporte të përdoruesve para se të ndërmerren veprime.
“Realiteti është se ky është një shkëmbim”, u shpreh Zuckerberg, duke pranuar se pavarësisht se kjo mund të nënkuptojë kapjen e përmbajtjes më pak problematike, ajo do të reduktojë ndjeshëm heqjet e rreme të postimeve legjitime.
Kthimi i përmbajtjes politike
Duke anuluar një vendim të mëparshëm për të kufizuar dukshmërinë e përmbajtjes politike, Meta do të rivendosë gradualisht postimet qytetare dhe politike në platformat e saj.
Zuckerberg theksoi se reagimet e përdoruesve tregojnë një kërkesë në rritje për një përmbajtje të tillë, pavarësisht se kompania synon të mbajë mjedise “miqësore dhe pozitive” të komunitetit.
Kompania gjithashtu do të zhvendosë ekipet e saj të besimit dhe sigurisë nga Kalifornia në Teksas, me qëllim për të krijuar besim në zonat “ku ka më pak shqetësim për paragjykimet” e ekipeve të tyre.
Zuckerberg gjithashtu pranoi kompleksitetin e ndryshimeve dhe kohën e nevojshme për zbatimin.
Duke mbështetur angazhimin për heqjen e përmbajtjeve të paligjshme, shefi i platformave Meta theksoi se fokusi kryesor i kompanisë së tij do të zhvendoset në reduktimin e gabimeve dhe thjeshtimin e sistemeve për t’i shërbyer më mirë misionit të saj origjinal për t’i dhënë zë njerëzve.