Marina turke ndalon anijen greke në Mesdhe, Ankaraja apel Athinës

schedule18:39 - 18 Tetor, 2018

schedule 18:39 - 18 Tetor, 2018

Marina turke ka ndaluar një anije greke në Mesdhe nën akuzën se ka shkelur kufijtë detarë. Përmes një komunikate, Ankaraja i ka bërë thirrje Athinës që të distancohet nga veprimet që mund të tensionojnë situatën.

Marina turke ka ndaluar të enjten një anije greke, nën akuzën se ka ndërhyrë në kursin e një anijeje turke në Mesdhe. Lajmin e bën të ditur agjencia shtetërore turke “Anadolu”, që nuk jep detaje të tjera mbi ngjarjen. Turqia, Greqia dhe qeveria turko-greke e Qipros kanë një histori të gjatë përplasjesh në mesdhe për shkak të pretendimeve territoriale dhe për kontrollin e rezervave të naftës dhe gazit.

Sipas Ministrisë së Jashtme në Ankara, anija turke po kryente kërkime mbi aktivitetin sizmik në juridiksionin turk. Gjithashtu, në komunikatën për shtyp thuhet se Turqia do të vazhdojë të ushtrojë të drejtën e sovranitetit dhe juridiksionit në territorin e saj.

“I sugjerojmë Greqisë që të distancohet nga aktet që mund të shkaktojnë një përshkallëzim të situatës në rajon”, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë, burime nga Ministria greke e Mbrojtjes kanë mohuar që mes dy anijeve të ketë pasur një incident, por kanë nënvizuar se mjeti grek vetëm sa po mbikëqyrte aktivitetet e anijes turke. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, anija ndodhej në një zonë territoriale të pretenduar nga Qipro për të bërë kërkime për hidrokarbure.

Më herët, Turqia kishte shpërndarë një mesazh për të gjitha mjetet detare, se anija e saj do të kryejë kërkime sizmike në Mesdhe nga 18 tetori deri më 1 shkurt. /abcnews.al