Karabinierët në Itali kanë zbuluar të enjten në një operacion një parcelë me rreth 220 bimë marijuanë dhe kanë vënë në pranga 4 kultivuesit, mes të cilëve një shtetas shqiptar. Operacioni është kryer në lokalitetin Teano, ku bimët narkotike ishin mbjellë mes pemëve të kumbullës, në një sipërfaqe prej 3 hektarë.
Sipas mediave të vendit fqinj, bimët arrinin nga 1 e 80 deri në 3 metra gjatësi dhe një peshë prej 250 kilogramë. Personat e arrestuar janë një shtetas italian, dy shtetase ruse dhe shqiptari Denis Nuredini, 25 vjeç, që sipas autoriteteve ishte gardiani i plantacionit. Kontrollet e karabinierëve janë shtrirë edhe në banesën e shtetasit italian që mendohet të ishte drejtuesi i grupit të vogël, ku janë gjetur 12 kilogramë marijuanë e bërë gati për t’u shitur në treg.
Në tërësi droga e sekuestruar do të kapte vlerën e 500 mijë eurove. Gjatë bastisjeve, efektivët kanë gjetur dhe sekuestruar edhe municione armësh zjarri dhe disa peshore për të matur peshën e lëndës narkotike. /abcnews.al