Carlo Ancelotti u shfaq entuziast dhe i lumtur për rikthimin te Real Madrid, ekip të cilin e udhëhoqi drejt “La Decima” shtatë vite më parë. “Los Blancos” janë më të dobët sot, sportivisht dhe ekonomikisht.
Presidenti Perez ka pak burime financiare në dispozicion. Largimet e Sergio Ramos dhe Raphaël Varane kanë befasuar trajnerin italian. Ëndrra e madhe e merkatos quhet Kylian Mbappe.
Te Reali mund të presin verën e ardhshme për të transferuar yllin francez (kontratë deri në 2022 me PSG) pa para në “Santiago Bernabeu”. Ancelotti e ka të qartë se një investim i tillë është i vështirë këtë verë.
Një situatë të tillë po mundohen ta shfrytëzojnë Mariano Diaz dhe Rodrygo. Të dy lojtarët janë në garë për një fanellë titullari përkrah Karim Benzema. Në Spanjë raportojnë se Ancelotti preferon më shumë të parin.
28-vjeçari nga Republika Dominikane ka luajtur më shumë në sfidat përgatitore për sezonin e ri. Trajneri beson shumë tek ai, teksa opsioni Rodrygo, edhe pse Reali shpenzoi 45 milion euro për brazilianin dy vite më parë, është larg një fanelle titullari. /abcnews.al