Margariti: Emigrantët në qytetet me kala të rregullojnë shtëpinë e vjetër, si do shpërndahen fondet

schedule23:40 - 7 Shkurt, 2022

schedule 23:40 - 7 Shkurt, 2022

Ministrja e Kulturës Elva Margariti ka shpjeguar në “Log.” në ABC si do funksionojë programi i rijetësimit i parashikuar të vihet në zbatim në qytetet me trashëgimi kulturore. Ky projekt parashikon financim të pronarëve të shtëpive të vjetra në zonat që janë shpallur trashëgimi kulturore për t’i kthyer në atraksion turistik.

“Ndërveprimi është ajo që kërkon programi. Edhe ligji shprehet. Detyrimin për objektet e trashëgimisë kulturore nuk e ka vetëm shteti por edhe privati. E shikojmë faktin e mirëmbajtjes me vlerë të shtuar për të gjithë ansamblin. Në pjesën e mirëmbajtjes kjo hyn edhe në detyrat funksionale.

E kemi prezantuar këtë projekt në Berat, Gjirokastër. Do të shkojmë në Krujë dhe Elbasan. Disa nga këto qytete kanë kala ende të banuara. Do vlerësojmë nëse kemi emigrantë dhe vijnë dhe investojmë në rijetësimin e banesës së tyre”, tha Margariti.

Ajo deklaroi se përgjigja për aplikimin del pas 15 ditësh dhe pastaj vazhdohet me sjelljen e projektit. “E kemi të qartë që do ketë impaktin më të madh nëse banorët e një rrugice bashkohen bashkë. Kjo është edhe puna e vazhdueshme që ne po bëjmë. Kemi kohë që e pjekim idenë. Kemi marrë besimin e qeverisë për këtë program. Kjo do të vazhdojë çdo vit. Ka shumë objekte që janë në gjendje emergjente në qendra historike ku duhet ndërhyrë.

Në momentin e parë që personi aplikon merr sinjalizimin dhe ka një afat prej 15 ditësh dhe vazhdohet me fazën e sjelljes së projektit. Ne vendosim në dispozicion një kapacitet monetar. Ka shumë banorë që edhe e kanë projektin të hartuar nga profesionistë dhe nga drejtoritë. Është një punë e vazhdueshme për të evidentuar ndërhyrjet. Është pronari ai që sjell kërkesën. Të gjitha projektet kalojnë në këshillin kombëtar të trashëgimisë materiale. Bëhet verifikimi i projektit dhe preventivit. Ne do të shohim sa bashkë financon pronari. Deri tani kemi menduar ta ndajmë në tre fasha. Nëse do të investojmë me 30%, 50% ose mbi 50%. Peshën më të madhe e mban projekti”, tha ajo.

Më pas skema B ka të bëjë me listën e bizneseve që këshillohen për këto objekte duke pasur parasysh risitë për të mos krijuar tejngopje të tregut.

“Skema B është thelbi i programit. Programi lind për këtë skemë për rijetësimin. Për ta bërë shtëpinë ku investohet në funksion të turizmit. Duam të kemi sa më shumë funksione. Kemi listuar disa këshillime. Mund të jetë një punishte për shitje artizanati. Ose mund të jetë një dyqan DUA për shitjet e prodhimeve tradicionale ose të kulinarisë.

Duam të promovojmë hapësira për librin, ekspozitat ose galeri artesh. Janë funksione të shtuara që mungojnë në qendra historike.  Shkodra dhe Voskopoja janë po ashtu në qendër të këtij projekti. Voskopoja për t’u specifikuar si ansambël historik dhe Shkodra si qendër historike. Do shtyjmë ata që vijnë me një funksion të ri. Me një risi. Me një funksion të shtuar. Për të mos krijuar tejngopje të tregut. Ne kur kemi hartuar rregulloren e qendrës historike të Vlorës kemi nxjerrë një listë me funksione për zhvillimin e zonës. Të gjithë bëhen bashkë për të vendosur cilët janë funksionet që do të shtohen”, deklaroi ministrja.

Aplikimi pritet të bëhet online përmes një hapësire të veçantë në E-Albania. “Jemi në fazën e marrjes së informacioneve nga drejtoritë rajonale. Për çdo projekt në këshillin kombëtar të trashëgimisë rajonale ekziston shërbimi online. Jemi në konsultim me AKSHI-n që të kemi në E-Albania një hapësirë tonë për të bërë lidhjen me sistemin E-Leje”, tha ajo. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!