Marbjena Imeraj tregon si u bë aktore në Itali: Isha emigrante dhe më paragjykonin, por nuk lejova që të viheshin para ëndrrës time

schedule14:57 - 22 Maj, 2021

schedule 14:57 - 22 Maj, 2021

Nga Enkeleda Bodini

Marbjena Imeraj është një vajzë shkodrane, e cila jetën e saj profesionale e ka ndërtuar në Itali. Ajo është aktore në teatër, dhe në një intervistë për abcnews.al ka rrëfyer për jetën e saj në Shkodër, ëndrrën për të vajtur në Itali, realitetin me të cilin u përball atje dhe si u bë ajo që është sot.

Marbejna ka lindur në Shkodër, në qytetin që ajo e quan “vend i shpirtit të lirë, humorit dhe buzëqeshjes”. Edhe pse e donte shumë qytetin e saj, pas përfundimit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Shkodrës, ajo vendos të largohet në Itali, për t’u bërë aktore.

“Italinë kam filluar ta ëndërroja që e vogël, sepse nga ekranët tona të TV kuptoja se ishte një shtet më i hapur, me më shumë mundësi për një vajzë të re që donte të bëheje aktore. Studioja italishten ditë e natë sepse isha e sigurt se një ditë do t’ja arrija qëllimit”, thotë ajo për abcnews.al.

Marbjena ia arriti qëllimit. Mbërriti në Itali, por realiteti me të cilin u përball ishte krejt ndryshe nga si e kishte pritur. E vetmja gjë që kuptoi ishte se, kudo që të shkelte në botë, paragjykimet do të ekzistonin.

“Mendimi i zakonshëm i njerëzve këtu ishte se je bjonde, e bukur, e gjatë, vjen nga Europa Lindore, ke një status ekonomik në nevojë dhe të trajtojnë me inferioritet. Unë e dija cila ishte vlera ime, cilat ishin aftësitë e mija. Kisha ardhur me një objektiv dhe nuk mund të lejoja paragykimet e të tjerëve të viheshin mes meje dhe ëndrrës time”, thotë ajo.

Në një vend të huaj, të realizosh ëndrrat është shumë e vështirë, por jo e pamundur. Aq më pak për Marbjenën, e cila ishte e pandalshme.  Duke lënë pas krahëve çdo gjë që e dëmtonte, filloi të bënte çdolloj pune për të arritur atje ku donte.

Për të paguar studimet për aktore, ka punuar në Romë edhe si babysitter apo kamariere. Punonte me orë të zgjatura, dhe në mëngjes zgjohej herët për të shkuar në shkollë.

Sigurisht, pas gjithë këtyre ditëve të lodhshme, vjen shpërblimi. Marbjena arriti të bëhej aktore kinemaje dhe më pas teatri, dhe ngjitja në skenë për të ishte ëndrra e realizuar.

“Publiku në skenë të jep emocione që asnjëherë nuk mund t’i provosh në ambiete apo situata të tjera. Është një magji që krijohet mes teje e publikut. Por nuk e mohoj që edhe kinemaja më jep shumë emocione. Në këtë periudhë jam duke menduar që të realizoj një punë edhe për ekranin e madh që gjatë këtyre viteve më ka munguar”, thota ajo për abcnews.al.

Gjatë dy viteve të fundit, Marbjena ka pasur një shkëputje nga skena për shkak të situatës së Covid-19, por së fundmi ajo u rikthye me një shfaqje e cila u dha për herë të parë në nivel kombëtar në një teatër në zemër të Romës.

“ALBANIA – ITALIA Solo Andata” ( Shqipëri – Itali, vetëm vajtje) është monologu që mbajti para një publiku të gjerë shqiptar dhe italian, i cili u ngrit peshë nga rrëfimi.

Në këtë monolog kam vënë Marbjenwn përballë Marbjenws, për të rrëfyer gjithë vështirësitë, për faj të paragjykimeve që kam kaluar gjatë viteve në Itali, para se të realizoja ëndrrën time. Kam vendosur që ta çoj në skenë në mënyrë ironike, sepse mendoj që është shumë e rëndëshishme që momentet e vështira të mësojmë t’i përballojmë me buzëqeshje dhe pa demoralizim, me forcë dhe dashuri ndaj jetës. Këtë mesazh publiku italian dhe shqiptar e priti shumë mirë dhe kjo gjë më bëri shumë të lumtur dhe krenare. Titulli i tekstit është simbolik; e kam lënë Shqipërinë time 19 vjeçe, kur nuk dija mirë kush isha dhe akoma ëndërroja skenat. Në Itali ajo vajzë e re u bë grua e suksesshme, u bë një aktore, arriti të realizonte dëshirat e saj. Nuk mund të kthehem më ajo vajzë. Jam të dyja, ajo vajza shqiptare dhe aktorja romane”.

Edhe pse nuk do të ketë më kthim, për Marjenën Shqipëria është toka e saj, ndërsa Italia vendi ku formua profesionalisht.

Marbjena diti si t’ia dalë në një vend që është kaq i hapur për mundësi, por njëkohësisht shumë i mbyllur për njerëz të thjeshtë. Ajo e gjeti rrugën e saj të drejtë dhe të gjithë të rinjve që duan të arrijnë të bëhen aktorë si ajo u thotë vetëm një gjë: “Ëndërroni, dëshironi, punoni, prishni barrierat e shoqërise, luftoni për ëndrren tuaj. Ngjituni në skenë çdo herë me një arsye, me një mesazh për publikun tuaj, me një deshirë sado të vogël që të ndërroni realiterin që ju rrethon”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!