Për herë të pestë radhazi organizohet Maratona e Pavarësisë. Gara sportive e pati nisjen në Shkodër dhe përfundimin në Malin e Zi.
U organizua për të pestin vit me radhë.
Maratona e Pavarësisë, aktivitet tashmë tradicional, këtë herë e pati nisjen nga Shkodra.
Starti ishte në sheshin para Bashkisë, ndërsa u organizua në bashkëpunim mes pushtetit vendor në Shkodër dhe Këshillit Nacional Shqiptar në Mal të Zi.
Voltana Ademi, Kryetare e Bashkisë Shkodër: “Kënaqësi shumë e madhe edhe nder, por dhe emocion. Une ju uroj rrugë të mbarë, është mission shumë përfaësues shqiptar, prandaj ku më mirë se nga Shkodra. Mirë mbërritshi edhe suksese. Gëzuar”.
Guri Muça themeluesi i Maratonës së Pavarësisë, i cili çdo vit udhëton nga Nju Jorku për të qenë pjesë e saj, jep mesazhin e tij për ditën e rëndësishme.
Guri Muça, themelues i Maratonës së Pavarësisë: “Ishte e rastësishme. Shikoni çfarë atmosphere. Bashkim, dashuri për atdheun dhe kombin”.
Në garë edhe një amerikan tregon se përse ishte në konkurrim.
Donald Jameson, vrapues: “Jam nga Bufalo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është shumë interesante për mua që të bëhem pjesë e Maratonës së Pavarësisë së Shqipërisë. Vetë fakti që vrapoj nga Shkodra për në Malin e Zi për mua është shumë domethënëse. Gëzuar Pavarësinë”.
Maratona e Pavarësisë zuri fill me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë kur Guri Muça dhe Majk Berkani, emigrantë shqiptarë nga Mali i Zi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë simbolike vrapuan nga Ulqini drejt Shkodrës.
Nisma e tyre u rrok nga maratonistë shqiptarë, mes të cilëve edhe i njohuri Sotir Qirjaqi dhe u institucionalizua nga Bashkia e Shkodrës si dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar në Mal të Zi./abcnews.al