Roberto Martinez, trajneri i Belgjikës, i ka dalë në mbrojtje sulmuesit Romelu Lukaku. Shpesh lojtarit të Inter i vihen në dukje dobësitë që ka dhe tekniku bën një paralelizëm të goditur, duke përfshirë në diskutim një emër të madh si Diego Armando Maradona.
“Ekspertët e kanë këtë aftësi, që të nxjerrin një pah gjithmonë atë që një lojtar nuk e ka ose nuk e ka bërë. Janë disa lojtarë të cilëve ne u theksojmë gjithmonë vetëm gjërat e mira që bëjnë, kurse disa të tjerëve ato që nuk i bëjnë. Lukaku u fut në atë kategori pas eksperiencës së tij me Chelsea”, shprehet fillimisht Martinez për “The Times”.
Më tej ai shton: “Ai bëri sezon fonemenal te Everton, por kur u largua te Manchester United ishte sërish ajo ndjenja që të gjithë do vinin në dukje faktin që ai nuk shënon. Kjo është befasuese për mua, pasi ai ka cilësi të jashtëzakonshme.
Ai është shënues i mirë dhe nuk mund të vlerësohet për gjërat e tjera që nuk i bën, sikur të thuash që Maradona nuk ndërhyn, nuk ndihmon në mbrojtje, ose nuk e përdor këmbën e djathtë. Askush nuk do të fliste dot se sa herë Maradona e ka përdorur këmbën e djathtë. Romelu është një golashënues. Kjo është puna e tij dhe e bën më së miri”. /abcnews.al