Maradona, fenomeni që udhëhoqi Napolin drejt trofeut të vetëm UEFA në histori

schedule18:37 - 20 Prill, 2020

schedule 18:37 - 20 Prill, 2020

Futbolli e mban mend për shumë gjëra të tjera. Diego Armando Maradona është njeriu që shënoi golin e shekullit, siç u quajt ai ndaj Anglisë në çerekfinalet e Kupës së Botës në 1986, i shpallur si më i bukuri i Botërorëve në histori. Magjistari argjentinas mbahet mend edhe për golin e “Dorës së Zotit”, atë që e realizoi me dorën e majtë po ndaj Anglisë, në të njëjtën ndeshje.

Gjithsesi, ai u shqua pa masë gjithashtu me Napolin në Itali e në Europë, dhe tashmë janë mbushur 31 vite nga një moment i veçantë. Ishte ndeshja gjysmëfinale e kthimit e Kupës UEFA në 1989, dhe Maradona realizoi atë që mund të quhet nxemja më e famshme në historinë e futbollit.

Kjo ndodhi në stadiumin e vjetër “Olimpia Stadion” të Mynihut, në prag të duelit ndaj Bayernit. Aty, në impiantin e ndërtuar për Lojërat Olimpike të vitit 1972, Diego kërceu dhe xhongloi topin nën ritmin e këngës së famshme “Life is Life” (Jeta është jetë), të grupit austriak, “Opus”.

Pas disa minutash argëtim e stërvitje, legjenda argjentinase udhëhoqi skuadrën në barazimin 2-2, që e kualifikoi për në finale, ndërsa në Napoli italianët kishin fituar 2-0.

Në finale, napolitanët e Maradonës kapërcyen një tjetër ekip gjerman, Stutgartin e Jurgen Klinsmanit, me shifrat 2-1 dhe 3-3, për të fituar trofeun e vetëm europian për klubin, Kupën UEFA.

Maradona mbetet i pakrahasueshëm sepse udhëhoqi Napolin edhe në dy tituj të Serisë A, të vetmit për të gjitha kohët, si dhe Kupën e Italisë. Besohet se një arritje të tillë nuk e ka bërë asnjë futbollist tjetër në histori./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!