Dy kryetarët e partive më të mëdha në Maqedoninë e Veriut, LSDM dhe VMRO DPMNE, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickovski ranë dakord më 29 mars që të shtyhet për në shtator të këtij viti regjistrimi i popullsisë së vendit.
Në një intervistë për gazetaren Linda Karadaku, Fatmir Dehari nga Bashkimi Demokratik për Integrim është shprehur se regjistrimi i popullsisë është një operacion statistikor që në asnjë mënyrë nuk duhet të politizohet.
“Ndodhemi në një proces para-zgjedhor. Faktikisht viti 2021 apo fundi i vitit 2021, në tetor ne do të kemi edhe zgjedhjet lokale. Dhe sigurisht, që partitë politike, qofshin ato partitë opozitare maqedonase apo shqiptare, apo në përgjithësi, këtë moment e shfrytëzojnë edhe për qëllimet e veta politike. Fatkeqësisht pra, procesi i regjistrimit është një proces krejtësisht tjetër, është një operacion statistikor që në asnjë mënyrë nuk duhet të politizohet.”
Ndërsa, i pyetur nëse është e unifikuar BDI-ja duke marrë parasysh fjalët për përçarje mes partisë, Dehari tha se mendimi ndryshe dhe demokracia e brendshme është një pasuri i BDI-së. Ai shtoi se padyshim që partia është shumë e unifikuar dhe se ky unifikim është mesazhi më i mirë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
“Mendimet ndryshe, demokracia e brendshme në strukturën tonë është një vlerë që na përcjell që nga themelimi i saj deri në ditët e sotme, dhe kjo sigurisht është një pasuri brenda nesh, është një përplasje argumentesh, përplasje faktesh që në një mënyrë na bën edhe më të fuqishëm, na bën edhe më të fortë në kuptimin e ideve që ofrojmë për qytetarët, argumenteve dhe fakteve.
Politika jonë është ndërtuar mbi fakte dhe punë konkrete….Padyshim që ne jemi shumë të unifikuar dhe ky unifikim është edhe mesazhi më i mirë edhe për ne si shqiptarë në Maqedoni, është një reflektim për të gjithë, ndoshta edhe për tërë rajonin mund ta them, unifikimi i strukturës sonë, demokracia e brendshme e strukturës sonë, mund të jetë një reflektim edhe më i gjerë edhe brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës për arsye të shumta.” sb/abcnews.al/