Maqedoni, Xhaferi shpall ditën e zgjedhjeve

schedule21:45 - 8 Shkurt, 2019

schedule 21:45 - 8 Shkurt, 2019

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni do të mbahen në gjysmën e dytë të muajit prill. Duke njoftuar datën, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi ka ftuar palët, në mazhorancë dhe opozitë, që të kontribuojnë për një proces demokratik.

Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi ka deklaruar se 21 prilli është data e caktuar për zgjedhjet presidenciale. “Jam i bindur se të gjithë faktorët e përfshirë në procesin elektoral do të kontribuojnë që zgjedhjet të mbahen në një atmosferë të rregullt dhe demokratike”, deklaroi Xhaferi mbrëmjen e së premtes. Roli i presidentit në Maqedoni është kryesisht ceremonial, por ai nënshkruan ligjet që miraton Parlamenti dhe është komandant i përgjithshëm i ushtrisë. Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev me vështirësi siguroi një shumicë të ngushtë në Parlamentin me 120 vende për të miratuar ndryshimin e emrit të vendit në Maqedonia Veriore, duke i dhënë fund kontestit me Greqinë dhe hapur rrugën për anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO. Por nacionalistët, përfshirë presidentin aktual Gjorgje Ivanov dhe VMRO-DPMNE, e kundërshtojnë ndryshimin. Partia opozitare në fjalë do të dalë me kandidatin e vetë në zgjedhje, ndërkohë që kryetari i partisë më të madhe shqiptare Ali Ahmeti, pak ditë më parë deklaroi se BDI është në negociata me parti të tjera shqiptare, për të dalë me një kandidat unik nga radhët e komunitetit shqiptar./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!