Maqedoni/VMRO: Amnisti gjithëpërfshirëse, jo selektive

schedule22:00 - 24 Tetor, 2018

schedule 22:00 - 24 Tetor, 2018

Në parlamentin e Maqedonisë vijojnë debatet për pajtim në lidhje me ngjarjet e 27 prillit. Ndërsa partia opozitare VMRO-DPMNE ka kërkuar një amnisti gjithëpërfshirëse, kryeministri Zaev ka deklaruar se marrëveshja nuk duhet të kalojë caqet politike dhe të ndërhyjë në punët e gjyqësorit. Për BDI, falja është e papranueshme.

Partia opozitare VMRO-DPMNE-ja ka riafirmuar kërkesën për amnisti të plotë për ngjarjet e dhunshme në Kuvend më 27 Prill të vitit të kaluar.

Hristjan Mickovski, kreu i VMRO-DPMNE: “Miratoni ligjin për amnisti që e propozojmë për të gjithë pjesëmarrësit e 27 prillit, që të ketë drejtësi joselektive dhe liri për të gjithë, e jo drejtësi selektive vetëm për ata që janë në shërbimin tuaj”.

Kryeministri Zaev, i cili i pari hodhi idenë e pajtimit ka theksuar se kjo nuk do të thotë ndërhyrje në punën e gjyqësorit.

Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë: “Disa herë e kam përmendur kur kam bërë thirrje për pajtim dhe unitet politik në Kuvend, se nuk kemi për qëllim të përzihemi në organet e drejtësisë”.

Pajtim dhe falje për ngjarjet e 27 Prillit nuk pranon as kreu i ASH-së, Ziadin Sela. Sipas tij, pajtimi kombëtar është i pranueshëm nëse bëhet fjalë për një marrëveshje të re mes maqedonasve dhe shqiptarëve.

Ziadin Sela: “Një falje e tillë dhe një konsensus nacional në prag të anëtarësimit në NATO dhe BE ka kuptim vetëm në një formë, nëse hapet tema për një marrëveshje mes dy komuniteteve më të mëdha të Maqedonisë”.

Për BDI-në falje për të involvuarit e drejtpëdrejtë në dhunën e 27 Prillit nuk do të ketë.

Bujar Osmani: “Për ata që kanë dhunuar deputetët, që kanë qenë ideatorë dhe organizatorë të një dhune të tillë, nuk mendoj se BDI do të jetë për çfarëdolloj kompromisi”.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi do të udhëheqë iniciativën për pajtim dhe unitet kombëtar në Parlament. Ende nuk janë saktësuar forma dhe detajet e këtij trupi kuvendor, por bazë do të jenë kërkesat e tetë deputetëve të opozitës që votuan pro ndryshimeve kushtetuese.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!