Maqedoni, spastrim institucional në fillim të qershorit

schedule19:30 - 20 Maj, 2019

schedule 19:30 - 20 Maj, 2019

Reforma institucionale që do të ndërmarrë qeveria e Zaev në Maqedoni do të nisë në gjysmën e parë të qershorit. Në favor të këtij operacioni, që parashikon ndërrimin e zyrtarëve në të gjitha nivelet, është edhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti, që ka deklaruar se nuk mund të ketë funksionarë të përjetshëm.

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, ende nuk ka biseduar me Zoran Zaevin për ndryshimet që pritet të ndodhin në ekzekutiv. Nuk është biseduar as në parti, por asnjë funksionar nuk është i përjetshëm thotë Ahmeti. Sipas tij, misionarët janë të përhershëm, e shumicën e bashkëpunëtorëve thotë se i ka misionarë.

Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së: “Zoti Zaev ka pasur disa vizita jashtë vendi dhe akoma nuk kemi biseduar. Nuk mendoj unë se Sadulla Duraku thotë që mua nuk më intereson se çfarë thonë qytetarët. Mund të jetë nxjerrë nga konteksti sepse unë Sadulla Durakun e njoh tash e sa vite. Mund të jetë nxjerrë nga konteksti kjo punë. Asnjëri nuk është i përjetshëm, funksionet shkojnë e vijnë, misionet mbeten në jetë të jetëve dhe pjesa dërmuese e bashkëpunëtorëve të mi janë misionarë. Funksionarët janë të përkohshëm, misionarët të përhershëm”.

Qeverinë nuk e lëshon as RDK-ja. Vesel Memedi, thotë se partia e tij ka luajtur rrol të rëndësishëm në formimin e Qeverisë që bëri punë të mëdha. Kryeministri Zoran Zaev, paralajmëroi se me emra konkret do të dal në fillim të muajit të ardhshëm, pas mbylljes së raportit të Komisionit Evropian.

Zoran Zaev, kryeministër:  “Në fillim të qershorit edhe atë në pjesën e parë të qershorit, e kam ndërmend që të dal me zgjidhjet konkrete për ndryshimet, edhe atë në qeveri, në institucionet qeveritare, drejtori, borde drejtuese dhe mbikëqyrëse”.

Zaev tha se porosinë e ka marrë nga qytetarët në zgjedhjet e fundit, kurse edhe një herë paralajmëroi ndryshime edhe në parti por edhe në nivel lokal./ABC News Albania 24/7