Maqedoni, sot afati i fundit për dekretimin e Ligjit të Gjuhëve

schedule12:08 - 22 Mars, 2018

schedule 12:08 - 22 Mars, 2018

Dhe pse sot është afati i fundit për dekretimin e ligjit të gjuhëve nga Presidenti i Maqedonisë, ky i fundit vazhdon të deklarojë se nuk do ta firmosë. Gjithsesi analistët në vend shprehen se ligji mund të publikohet në faqen zyrtare të Kuvendit dhe pa firmën e tij e rrjedhimisht të hyjë në fuqi.

Sot në Maqedoni skadon dhe afati për dekretimin e Ligjit të Gjuhëve nga ana e Presidentit të vendit Ivanov. Por kreu i shtetit ka deklaruar se nuk ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë.

Analistët politikë në vend shprehen se sipas Rregullores dhe Ligjit për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, kryetari i Kuvendit në ditën e miratimit të ligjit nënshkruan dekretin, duke e dërguar më pas për nënshkrim tek Presidenti i vendit.

Tashmë nga ai moment kanë kaluar shtatë ditë dhe e enjtja shënon ditën e 8 nga miratimi, pra është afati i fundit, që Kuvendi të publikojë ligjin në Fletoren Zyrtare. Më tej shpjegohet se dekreti duhet të firmoset nga kryetari i Parlamentit në njërën anë dhe në vendin, ku duhet firma e Presidentit, duhet shkruar se pavarësisht detyrimit për firmosje, sipas nenit 75 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës refuzon ta shkruajë.

Vetëm pas shpalljes në Fletoren Zyrtare të Kuvendit, ligji hyn në fuqi. Në fakt kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, ka deklaruar se ligji mund të publikohet në Fletoren Zyrtare edhe pa firmën e Presidentit Ivanov.

Partia opozitare VMRO këmbëngul se shpallja e ligjit në Faqen Zyrtare pa nënshkrimin e Presidentit përbën vepër penale. Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua me 64 vota “pro”më 14 Mars në përpjekjen e tretë në Kuvendin e Maqedonisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!