Maqedoni, opozita kundërshton pr/ligjin për censusin

schedule19:05 - 10 Qershor, 2019

schedule 19:05 - 10 Qershor, 2019

Opozita në Maqedoni ka kundërshtuar ligjin për regjistrimin e popullsisë. Partia VMRO-DPMNE ka shprehur pakënaqësinë e saj ndaj këtij ligji dhe ka paralajmëruar me bojkot në procedurat e mëtejshme për miratimin e tij.

Deri tani heshtën për ligjin për regjistrimin e popullsisë, e kur ai hyri në procedurë parlamentare, opozita vendosi ta ngrejë zërin dhe të kërcënojë me bojkot. Situata e krijuar e detyroi institucionin ligjdhënës që ta anulojë seancën e Komisionit për çështje evropiane, dhe ta shtyjë për të premten.

“Nëse pushteti vazhdon të insistojë për një zgjidhje të tillë ligjore, pa i dëgjuar argumentet e opozitës, pa kyçjen e VMRO DPMNE-së në hartimin e këtij ligji, pa kohë të mjaftueshme për një debat të vërtetë, ekziston mundësia që regjistrimi i popullsisë të bëhet pa pjesëmarrjen e VMRO-DPMNE-së”, tha Naum Stoilkovski, zëdhënës i VMRO DPMNE-së.

LSDM-ja bën thirrje opozitës që debatin dhe vërejtjet për ligjin ti adresojë në Kuvend.

“Unë pres që të gjitha partitë politike ta kuptojnë rëndësinë dhe thelbin e regjistrimit të popullsisë. Pres që edhe VMRO DPMNE të marrin guximin dhe të heqin dorë nga qëllimi për bojkotim”, deklaroi Kosta Kostadinov, zëdhënës i LSDM-së.

Me reagimin e VMRO DPMNE-së janë të habitur edhe nga Enti shtetëror për statistika.

“Ligji u është dhënë në formë të shkruar partive politike parlamentare. Nuk kishim asnjë reagim dhe sinqerisht jam i habitur nga ky reagim i opozitës”, theksoi Apostoll Simovski, Enti Shtetëror për Statistika.

Mërgimtarët nuk ka nevojë që të kthehen për tu regjistruar. Do të kenë dy muaj për tu regjistruar në aplikacionin online, e nëse nuk e bëjnë këtu, u mbetet edhe një mundësi tjetër, që të paraqiten nga më të afërmit e tyre./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!