Maqedoni, mbyllen qendrat zgjedhore. Referendumi drejt dështimit?

schedule19:09 - 30 Shtator, 2018

schedule 19:09 - 30 Shtator, 2018

Në orën 19:00 në Maqedoni janë mbyllur qendrat zgjedhore të ngritura për referendumin e emrit kushtetues, që rrjedh nga marrëveshja me Greqinë.

Pavarësisht pritshmërive, pjesëmarrja në procesin e votimit ka qenë relativisht e ulët. Në komunikimin e fundit me mediat Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve bëri të ditur se deri në orën 18:30 kishin votuar vetëm 34 për qind e popullsisë, kuotë që e përkthyer në shifra i bie 519 mijë qytetarë nga mbi 1 milion e 800 mijë me të drejtë vote.

Në mënyrë që referendumi të konsiderohet i vlefshëm duhet që në votim të kenë marrë pjesë mbi 50 për qind e qytetarëve. Procesi u krye nën monitorimin e rreth 12 mijë vëzhguesve vendas dhe 493 të huaj dhe kaloi pa incidente.

Komunat me numrin më të lartë të votuesve ishin ajo e Sarajit, ajo e Qendrës dhe e Karposhit. Në komunat me shumicë shqiptare pjesëmarrja ishte lehtësisht më e ulët. Deri në orën 15, ajo ishte 36% në Tetovë, 20 për qind në Gostivar, 22 për qind në Kumanovë dhe 20 për qind në Strugë./abcnews.al