Manja zbulon shifrat: Sa do rriten pagat për policët e burgjeve, vizitat e familjarëve si sistemi TIMS

schedule14:43 - 9 Nëntor, 2021

schedule 14:43 - 9 Nëntor, 2021

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka zbuluar në Komisionin për Çështjet Ligjore, rritjen e pagës për çdo kategori në radhët punonjësve të burgjeve në bazë të funksionit të tyre. Manja u shpreh se rritja do të nisë nga punonjësit e shërbimit të brendshëm, ato të jashtëm, inspektorët e deri te nivelet më të larta të drejtuesve.

“Është programuar rritje për gradë, vjetërsi dhe në buxhetin e vitit 2022 janë parashikuar fondet për shtesën e pagave për funksion. Janë punonjësit e policisë të nivelit bazë, të mesëm dhe të lartë. Niveli i mesëm ndahet në punonjës të shërbimit të brendshëm që paguhen më shumë se ata në shërbimin e jashtëm.

 Rritja e pagës për gradë, vjetërsi dhe funksion për gradën nëninspektor,  është 7935 lekë rritje, ose 16 %. Nënisnpektor i regjimit të brendshëm rritja është 15%. për gradën inspektor rritja e pagës është 18%, ndërsa për gradën kryeinspektor rritja është përsëri 18%. Niveli bazë është i diferencuar në bazë të regjimit të brendshëm dhe të jashtëm, Për nivelin e mesëm, nënkomisar dhe kryekomisar shkon rritja nga 9% deri në 13%. Rritja e pagës për nivelin e lartë shkon nga 7% deri në 13%”. u shpreh Manja.

Ministri deklaroi se në buxhetin e vitit 2022 është parashikuar edhe një fond për rikonstruksionin e burgut të Vaqarrit i dëmtuar nga tërmeti ndërsa bëri me dije se burgu i Shën Kollit do të vihet në funksion në nëntor të këtij viti. Ai u shpreh se është parashikuar edhe një fond për menaxhimin e vizitave në burgje përmes një sistemi elektronik të ngjashëm me sistemin Tims.

“Në zërin e shpenzimeve kemi marrë edhe investime të reja kapitale dhe këtu i referohem rikonstruksionit të burgut të Vaqarrit. Ky burg dhe ai i Shën Kollit pësuan dëmtime nga tërmeti dhe janë jashtë funksionit. Vaqarri mund të jetë një burg i hapur për të aplikuar edhe punësimin e të dënuarve.

 Po përfundon edhe rikonstruksioni i dy blloqeve 4 dhe 5 në burgun e Shën Kollit për t’u vënë në punë deri në fund të nëntorit. Sa i përket sistemit të burgjeve ka mbështetje buxhetore edhe për elementët e sigurisë.  Buxheti që kemi marrë financon menaxhimin e një sistemi elektronik të menaxhimit të vizitave të ngjashme me sistemin TIMS. 122 mln lekë edhe është buxhetuar për vitin 2022”, tha Manja. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!