Milan pritet të bëjë disa ndryshime në repartin e sulmit gjatë merkatos së verës. Drejtuesit e klubit kërkojnë fillimisht të bindin Zlatan Ibrahimovic për të qëndruar të paktën dhe një sezon e më pas të hidhen në sulm për të gjetur partnerin e duhur për të.
Sipas raportimit të “Fichajes”, i përzgjedhuri nga kuqezinjtë është Ciro Immobile. Kapiteni i Lazios po konfirmon sërish formën e mirë edhe këtë vit, ku deri më tani ka shënuar 19 gola në 27 ndeshje për lacialët. Kujtojmë që italiani fitoi Këpucën e Artë sezonin e kaluar, pasi mposhti bomberin e Bayernit, Robert Lewandowskin.
Kontrata e tij me klubin kryeqytetas përfundon në vitin 2025 dhe vlera e kartonit të tij vlerësohet diku te 45 milionë euro. Milan duket se do të heqë dorë nga Mario Mandzukic, i cili nuk po bind me paraqitjet e tij. Kroati erdhi me shumë bujë në merkaton e janarit, por numëron vetëm 5 paraqitje, ku shumicën prej tyre është futur si zëvendësues në minutat e fundit të takimit. /abcnews.al