Mario Mandzukic qëndron pushim prej 5 korrikut, datë kur i dha fund aventurës me ekipin Al Duhail të Katarit. Sulmuesi i njohur kroat nuk është bindur nga ofertat e marra gjatë kësaj kohe dhe nuk po nxitohet për të zgjedhur klubin e ri.
Ditën e djeshme u përfol se Bologna interesohet për shërbimet e tij. Paraguaiani Santander është dëmtuar, do të qëndrojë katër muaj jashtë dhe nënkampioni i botës është një nga alternativat për ta zëvendësuar.
Gjithsesi, trajneri i ekipit italian, Sinisa Mihajlovic, i ka dhënë fund shpresave të 34-vjeçarit për t’u kthyer në Serie A, aty ku ka luajtur, shënuar gola e fituar trofe me bardhezinjtë e Juventusit (2015-2019).
“Nuk më pëlqen të marr një lojtar sa për të thënë, qoftë edhe Mandzukic. Nuk duhet të harrojmë që ndodhet pa ekip dhe i duhet kohë për të marrë veten. Ai nuk ndodhet në formë. Me çfarë ofron tregu, nuk shoh ndonjë lojtar të përshtatshëm për ekipin tim në këto momente“, deklaron Mihajlovic. /abcnews.al