Mandati i Xhaçkës, “fiton” Alibeaj mbi Berishën

schedule20:23 - 23 Janar, 2023

schedule 20:23 - 23 Janar, 2023

Enkelejd Alibeaj arrin fitore mbi Sali Berishën. Bëhet fjalë për betejën e dy grupeve në Gjykatën Kushtetuese për mandatin e ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka në parlament. Të dy grupet i ishin drejtuar kësaj gjykate me një kërkesë për të shqyrtuar ligjshmërinë e vazhdimit të mandatit të deputetes pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall investitor strategjik për një investim në jug të vendit.

Grupi i Alibeajt, që dhe fitoi mbi atë të Berishës, i kërkoi që pas rrëzimit që parlamenti i bëri heqjes së mandatit, të jetë ky institucion, i cili sipas ligjit të çojë në Kushtetuese mandatin e deputetes. Gjykata me vendimin e saj rikthen çështjen edhe njëherë në parlament. Dhe ky institucion do të jetë ai që do t’i drejtohet gjykatës për ta shqyrtuar dhe për të dalë në konkluzionin nëse Xhaçka ka shkelur apo jo ligjin dhe për pasojë nëse do të vazhdojë me mandatin e deputetes.

Ndërkohë, Kushtetuesja ka rrëzuar grupin e Berishës, i cili me 28 firma deputetësh i ishte drejtuar gjykatës me dy kërkesa. E para, që parlamenti nuk mund të marrë vendim për mandatin e një deputeti, pra e njëjtë me atë të Alibeajt. Dhe e dyta, për ta shqyrtuar dhe për të dhënë vendim. Pra, pa e kaluar sërish kërkesën tek Kuvendi.

NJOFTIMI:

“Gjykata Kushtetuese në datën 18.01.2023, në orën 10:00, mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me nr. 9 (NJ) 2022 Regjistri Themeltar, me kërkues jo më pak se 1/10 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10 e deputetëve. Deklarimi i vendimeve nr. 83, datë 17.11.2022 “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, në mbështetje të neneve 131, shkronja “ç”, si dhe të neneve 54, 55, 56, 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

VENDOSI:

1. Pranimin e kërkesës.

2. Zgjidhjen e konfliktit/mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10 e deputetëve.

3. Shfuqizimin e vendimeve nr. 83, datë 17.11.2022 “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.”/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!