Opinioni i “Venecias”, në ditët në vijim/ “Xhaçka”, Kuvendi: Mbetet konfidencial, do publikohet nga komisioni

schedule19:45 - 6 Dhjetor, 2024

schedule 19:45 - 6 Dhjetor, 2024

TIRANË- Dy muaj pasi socialistët kërkuan opinion nga Komisioni i Venecias nëse Gjykata Kushtetuese mund të imponojë deputetët e Parlamentit të Shqipërisë të votojnë në një mënyrë të caktuar, kjo e fundit zhvilloi këtë të premte, mbledhjen me dyert të mbyllura, ku përveç ekspertëve të Venecias, të pranishëm kanë qenë edhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali dhe Klotilda Bushka, kryetare e Komisionit të Ligjeve.

Në një reagim institucioni i parlamentit thotë se opinioni i kërkuar nga Kryetarja e Kuvendit, është miratuar nga Komisioni i Venecias, në mbledhjen e mbajtur më datë 6 dhjetor.

Më tej Kuvendit thekson se Opinioni do të botohet nga Komisioni i Venecias, sipas rregullave dhe procedurave të aplikueshme prej tij dhe deri atëherë do ruhet konfidencialiteti i plotë.

Kjo kërkesë e kuvendit lidhet me deputeten Olta Xhacka, mandatin e së cilës, mazhoranca ka refuzuar ta çojë në Kushtetuese, duke e rrezuar në parlament dy herë.  Sipas avokatit Edmond Petraj, papajtueshmëria e mandatit të një deputeti varet nga Kushtetuta. Ai tha në ABC News, se mandati i Olta Xhackës, nuk do të preket pasi nuk ka konflikt interesi.

“Do pritur deri nesër. Nuk ka logjikë, Venecia nuk vendos, por jep opinion. Olta Xhaçka do të jetë e papërfshirë. Ku është konflikti i interesit? Do fillonte procedim penal, SPAK. Janë disa gjëra që duhen parë imtësisht. Unë them që mandati i Olta Xhaçkës nuk preket. Në kushtet që jemi, nuk do të ketë ndonjë pritshmëri. Mendoj unë. Këtë opinion do jepja. Të gjithë e dinë që bashkëshorti i saj është biznesmen, ka vite’, tha avokati.

Mandati i deputetes Olta Xhacka ka krijuar një precedent në marrëdhëniet mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese, pasi nuk është dërguar në organin më të lartë të drejtësisë për interpretim, njëjtë si ne rastet e mëparshme kur ndaj deputeteve ka patur indicie se kanë shkelur nenin 70 të kushtetutës, i cili u ndalon atyre të përfitojnë pasuri publike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!