Shqyrtohet të premten në Gjykatën Kushtetuese padia e bërë nga opozita për mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Gazetarja Erneta Shevroja raporton se sot do të bëhet një rishqyrtim sa i përket kësaj çështjeje.
“Ditën e sotme do të bëhet një rishqyrtim në Gjykatën Kushtetuese sa i përket çështjes së mandatit te deputetes Olta Xhaçka, pasi njëherë e ka shqyrtuar mandatin e saj dhe është ndalur te kompetencat që ka kuvendi për një kërkesë të tillë në raport me një pakicë parlamentare, që mund të bëjë padi të caktuar.
Gjykata Kushtetuese, në përgjigjen e parë, kërkoi që të jetë kuvendi ai i cili do të duhet të sjellë mandatin për shqyrtim që të shqyrtohet e gjithë çështja në themel. Me 11 prill, parlamenti votoi për mandatin e Xhaçkës dhe me shumicë të votave të PS u vendos që të mos çohej në gjykatë dhe këtë vendimmarrje kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi dhe 43 deputetë të PD-së depozituan një padi të radhës në Gjykatën Kushtetuese sa i përket mandatit të Olta Xhaçkës.”, raportoi gazetarja.
Kuvendi vendosi më 11 prill që të rrëzojë kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për të çuar në këtë gjykatë interpretimin e mandatit të saj.
Më datën 24 prill, një grup prej 44 deputetësh të kuvendit iu drejtuan gjykatës për të kundërshtuar vendimin e kuvendit “Për mosdërgimin e Mocionit në Gjykatën Kushtetuese” dhe deklarimin si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Opozita kërkoi dërgimin e mandatit të Xhaçkës në Kushtetuese që në vjeshtën e vitit 2022, pasi e akuzon se ka konflikt interesi përmes bashkëshortit të saj si investitor strategjik./abcnews.al