Mandati i dytë në krye të bashkisë, Veliaj: Tiranës do i shtohen edhe 50 parqe

schedule14:05 - 7 Korrik, 2019

schedule 14:05 - 7 Korrik, 2019

Kryeqyteti do të ketë brenda 4 vitesh edhe 50 parqe të reja publike. Lajmin e bëri të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili foli edhe për dhënien e bursave për nxënësit ekselentë të klasave të gjashta.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës edhe për 4 vjet të tjera Erion Veliaj, është zotuar për ndërtimin e 50 parqeve të reja publike në kryeqytet, me qëllim që banorët e Tiranës e kryesisht fëmijët dhe mosha e tretë të kenë më shumë hapësirë ku të kalojnë kohën e lirë. Veliaj foli për këtë projekt, pas përfundimit të parkut të ri në zonën e Alidemit.

Para banorëve të zonës së Ali Demit, Veliaj foli edhe për pajisjen me bursa për nxënësit ekselentë të klasave të gjashta në Tiranë.

“Për të gjithë ata që do shkojnë në klasën e 6, bashkia jep edhe një bursë. Por, duhet të dalësh me 10, që pastaj t’ju japim disa fonde me të cilat mund të blini më shumë lodra, ose mund të qerasni shokët, ose mund të ndihmoni gjyshin dhe gjyshen. Kështu që, mos harroni të dilni me 10. Kush është i mirë i bën të gjitha, edhe pushimet, edhe librat, edhe shkollën”, tha Veliaj.

Gjatë fjalës së tij, kryebashkiaku i Tiranës premtoi se do të ketë investime në çdo cep të Tiranës, por theksoi se ato duhet të mirëmbahen nga qytetarët./ABC News Albania 24/7

 

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!