Italia luan një miqësore kundër Moldavisë dhe më pas me Poloninë e Holandën në Nations League. Trajneri Roberto Mancini ka dalë në konferencë për shtyp ditën e sotme dhe ka folur për gjendjen në kombëtaren italiane, objektivin që ai ka dhe për emra të veçantë.
“Nuk ka probleme të mëdha. Ndoshta lojtarët e Juventusit mbërrijnë të mërkurën. Renditja është e rëndësishme dhe duhet të vazhdojmë me paraqitjet dhe rezultatet e kohëve të fundit. Kemi rikuperuar 8-9 pozicione dhe do të donim të ngjiteshim edhe më shumë deri para hedhjes së shortit për kualifikueset e Kupës së botës.
Duhet të bëjmë mirë në ndeshjet që shihen si të lehta, madje edhe duke ndryshuar lojtarët. Jemi të kënaqur që ekipi kombëtar i tërheq tifozët dhe njerëzit i shikojnë ndeshjet në shtëpi. Kjo do të thotë që djemtë janë argëtues”, tha Mancini.
I ngacmuar për Federico Chiesa, i cili ka kaluar te Juventusi dhe në vazhdim nuk dihet se sa hapësira ka, trajneri i Italisë deklaron: “Chiesa për ne është një lojtar i rëndësishëm. Ai ishte pjesë e Italisë kur luante me Fiorentinën dhe është edhe tani që është me Juventusin”.
“Moldavia? Është si Bosnje-Hercegovina, ata mbrojnë me shumë lojtarë. Na ka ndodhur kështu në shumicën e raste, por gjërat në fund kanë shkuar mirë dhe kemi marrë rezultate. Kemi një ekip ndryshe nga herët e tjera, por nuk mendoj se do të kemi probleme”, mbyll Mancini. /abcnews.al

