Manchester United, Onana: Ta mbyllim sezonin me dinjitet, ky klub ishte zgjedhja e duhur

schedule14:03 - 7 Maj, 2024

schedule 14:03 - 7 Maj, 2024

Andre Onana, është i bindur se Manchester United ishte zgjedhja e duhur pas aventurës me Inter. Pavarësisht kritikave të fillim sezonit, gardiani thekson se “Djajtë e Kuq” janë klubi më i madh në Angli dhe se është krenar që luan për këtë fanellë. Ndër të tjera, Onana kërkon që këtë sezon shokët e tij dhe ai vetë ta mbyllin me dinjitet duke marrë maksimumin në ndeshjet e mbetura.

“I gjithë sezoni ka qenë i vështirë për të gjithë ne, si individë dhe si grup. Por ne duhet të jemi gjithmonë pozitivë, dhe të gjithë duhet të marrim përgjegjësi. Unë e nis nga vetja, gjithmonë.

Ishte një sezon i vështirë. Ne jemi Manchester United, jemi një klub kaq i madh, kështu që nuk mund të justifikohemi nga dëmtimet apo shkaqe të tjera. Duhet të qëndrojmë pozitivë. Nëse ky sezon nuk ishte i mirë, jam i sigurt se ai pasardhësi do të jetë ndryshe.

Nuk mendoj se shokët e mi të skuadrës janë të kënaqur me situatën me të cilën po përballemi, sepse i njoh, ata janë të gjithë fitues dhe të gjithë duan të fitojnë. Kur filluam sezonin, në dhomën e zhveshjes folëm për të luftuar për çdo titull. Por gjërat ndodhin në jetë dhe ne duhet të përballemi me këtë situatë.

Tani kemi një finale të bukur për të luajtur, kemi ende disa ndeshje për të luajtur. Ne do të përpiqemi të përfundojmë sezonin me dinjitet.

Kritikat dhe vështirësitë e fillimit? Ishte vërtet e vështirë në fillim, por është hera e parë që përballem me një situatë të tillë. Tani e njoh ligën, i njoh njerëzit, e njoh vendin, e njoh Mançesterin.

Kur shikoj prapa, buzëqesh sepse ishte një mësim i madh për mua. Por në fillim mendova; Uau, a bëra zgjedhjen e duhur? Por, jam 100% i sigurt se kam bërë zgjedhjen e duhur sepse Manchester United është klubi më i madh në këtë vend, është një nga klubet më të mëdha në botë. Kush do të thoshte jo për të ardhur dhe për të luajtur për këtë klub të bukur”, u shpreh Onana./h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!