Manchester United i druhet Pogba-së

schedule18:15 - 22 Gusht, 2019

schedule 18:15 - 22 Gusht, 2019

Mançester Junajtidit nuk po i ndahen problemet këtë sezon. Ekziston frika për një rebelim nga Paul Pogba, ndërsa shpenzimet për sulmuesin Aleksis Sançez vazhdojnë të jenë të mëdha.

Një kampioni të botës pritet t’i mohohet e drejta për të gjuajtur penalltitë. Një vendim i tillë ndaj Paul Pogba-së mund të sjellë një konflikt tek Manchester United.

Kaq keq janë katandisur punët në “Old Traford”, saqë trajneri të ketë frikë për të përmendur emrin e lojtarit që duhet të ekzekutojë 11-metërshat, diçka që nuk mund të imagjinohej në kohën e Sir Alex Fergusonit.

Burime në skuadër pohojnë se trajneri Solskjaer ka kritikuar Pogbanë dhe i ka theksuar Rashfordit, se është pikërisht ai i përzgjedhuri për goditjet standarde. Kjo, sipas analistëve, mund të sjellë një rebelim të Pogba-së dhe një luftë të re në dhomën e zhveshjes.

Hallet e United nuk mbarojnë me kaq, pasi Romelu Lukaku, ish-ylli i sulmit i dhënë tek Interi, ka hapur gojën dhe ka sulmuar.

“Nëse ata (drejtuesit) mendojnë se fajtori kam qenë unë, atëherë le të shkojnë në djall, – tha ai me zhargonin tipik të futbollistit, – gjithnjë duan të gjejnë një fajtor, mua, Polin (Pogbanë) apo Aleksisin (Sançezin). Ata e kanë fajin vetë, dhe shumë fjalë kundër nesh që dalin në media, dihet ku e kanë burimin”.

Lukaku u mor në “Old Traford” nga ish-trajneri Mourinho, por u transferua tek Interi për 85 milionë euro, i padëshiruar nga trajneri Solskjaer. Problemi i fundit ka të bëjë me Aleksis Sanchezin.

Sulmuesi kilen do të huazohet tek Interi, veçse kjo pritet t’i kushtojë shumë anglezëve, nga ana financiare. “Daily Mail” shkruan se fatura mund të arrijë në gati 40 milionë euro, sepse Sanchez ka një rrogë të jashtëzakonshme, dhe italianët nuk pranojnë t’i japin kaq shumë.

Jo vetëm kaq, por Interi mund të financojë vetëm një të katërtën e pagës vjetore të tij./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!