Manchester City fiton Kupën e Ligës në Angli

schedule13:59 - 25 Shkurt, 2019

schedule 13:59 - 25 Shkurt, 2019

Pep Guardiola u barazua me Jose Mourinho-n për trofetë e fituar në karrierë, pas suksesit në Kupën e Ligës. Finalja e luajtur në “Uembli” solli një krizë të re për Chelsea-n.

Një triumf dhe një krizë e re. Finalja e Kupës së Ligës angleze, luajtur në “Uembli” nxorri fitues Manchester City-n, pas gjuajtjes së penalltive, por krijoi edhe një çështje të re krize tek Chelsea. Pas 90 minutave pa gola, të dyja skuadrat nuk arritën të shënonin as në 30 minutat e dy shtesave, ndaj edhe gjithçka u përcaktua nga 11-metërshat.

Kampionët e City-t u treguan më të saktë, duke fituar kështu trofeun e parë të sezonit, ndërsa janë në garë për gjithçka tjetër, pra për Premier Ligën, Championsin dhe Kupën e Anglisë. Trajneri Pep Guardiola regjistroi titullin e 25-të në karrierë, duke u barazuar me rivalin e tij të madh, Jose Mourinho, të cilin mund ta kalojë edhe brenda këtij edicioni.

Gjithsesi, që të dy janë shumë larg Sir Alex Fergusonit që ka 49 trofe. Përtej festës së City-t, pati krizë të Bluve të Londrës. Pikërisht përpara gjuajtjes së penalltive, portieri Kepa ndjeu shqetësime fizike, dhe trajneri i tij, Mauricio Sarri, nxitoi ta zëvendësonte, me portierin e dytë, Uilli Kabaleron.

Papritur Kepa refuzoi të dilte nga fusha duke bërë shenja se ishte mirë dhe se mund të vazhdonte. Besohet se Sarri kishte më shumë besim te Kabalero, që cilësohet specialist i penalltive, madje u pa qartë se ai u zemërua shumë me refuzimin e Kepës.

Në fund, trajneri u tërhoq duke lënë titullarin në fushë, por zemërimi i tij dhe i stafit u duk qartë deri në fund. Megjithatë, pas ndeshjes, Sarri e justifikoi Kepën.

“Mendova se portieri kishte ngërç dhe gjykova se ai nuk mund të ishte në gjendje për penalltitë, – u shpreh ai, – natyrisht, unë u nxeha shumë me të, por më pas u qetësova. Portieri tha se nuk kishte probleme fizike, pra ai kishte të drejtë”.

Mediat angleze informuan se klubi nuk ka ndërmend ta dënojë Kepën për sjelljen e tij, diçka që mund ta ulë edhe më shumë respektin e lojtarëve ndaj trajnerit. Këtë theksuan edhe analistët në studion e “Skaj Sportit”, mes të cilëve Xhon Terri, Pablo Zabaleta dhe Xhemi Redknap.

Madje ata u shprehën se trajneri duhej të ishte futur në fushë për ta nxjerrë jashtë portierin. Chelsea është i mundur në të dyja kupat angleze, dhe jashtë zonës Champions në Premier, me vetëm Ligën e Europës si trofe të mundshëm. Fati i Mauricio Sarrit duket se është i përcaktuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!