Mançester Siti vendos rekord në Angli, fiton të 3 trofetë

schedule11:56 - 19 Maj, 2019

schedule 11:56 - 19 Maj, 2019

Mançester Siti hyri në histori si skuadra e parë në Angli që fiton çdo trofe kombëtar. Të besuarit e trajnerit Pep Guardiola, po ashtu triumfuan në finalen me rezultatin më të thellë në më shumë se një shekull.

Kur edhe një legjendë si Sër Aleksi dorëzohet, do të thotë se sfida është në kufijtë përtej të mundshmes.

Asnjë skuadër nuk ia kishte dalë në Angli që të fitonte një “treshe” trofesh kombëtarë në një sezon të vetëm, pra titullin kampion, Kupën e Anglisë dhe Kupën e Ligës.

Tashmë, dikush e krijoi epokën, e bëri të pamundurën të mundur, dhe kush tjetër përveç Mançester Sitit të Pep Guardiolës.

Edhe në Europë, këtë e kanë bërë shumë pak skuadra të mëdha, vetëm Bajerni, Paris SG, Rejnxhërsi e Sëlltiku apo Benfika.

Një triumf i përmasave historike u arrit me një rezultat gjithashtu historik, me rezultatin më të thellë të finales së Kupës së Anglisë në 116 vjet, dhe duke barazuar rezultatin më të thellë të të gjitha kohëve: 6-0.

“Viktima” ishte Uatfordi, një skuadër shumë e mirë përderisa kishte mbërritur në “Uembli”, por për të cilën finalja erdhi në momentin më të keq, atëherë kur “qytetarët” ishin më të frymëzuar se kurrë.

Autorë të golave ishin David Silva, Gabriel Zhezus, De Brujn, Gabriel Zhezus, Stërling dhe sërish Stërling.

Epërsia ishte e jashtëzakonshme, edhe pse Uatfordi e nisi mirë, duke pasur rast goli, e duke pretenduar për penallti.

Për fat të keq, nuk ia doli të shënonte, dhe u shkatërrua pasi pësoi të parin.

Siti mbajti topin 70 për qind, pati 23 gjuajtje drejt portës, me 11 në kuadrat (2, Uatfordi), si dhe kornet 13-1.

“Ky ishte një nga sezonet e mi më të mirë në karrierë si trajner, – tha Guardiola, – nuk mund të them se është më I miri, por është një prej tyre. Asnjë skuadër nuk ia kishte dalë më parë në këtë vend. Respekt për lojtarët e mi, ata kanë meritën kryesore. Sa për dënimin e UEFA-s, nuk e meritoj këtë pyetje sot, ndërsa ne po festojmë”.

Edhe gazetat nuk u morën me këtë pyetje.

“Deili Star”: Gëzimi i gjashtëshes! Siti shkatërron Uatfordin!

“Deili Telegraf”: Triumfatorët e treshes! Siti bën historinë me “fshesën totale” në shtëpi!

Deili Mirrër” bën lojë fjalësh me titullin e filmit “Seksi dhe qyteti”: Gjashta dhe qyteti! Fitore historike treshe e Pepit!

“Dhi Observer”: Qielli i madh blu! David Silva feston golin ndaj Uatfordit, në fitoren 6-0, që plotësoi një rekord shtëpiak trofesh!

Siti u bë skuadra e parë në Angli që arrin 50 fitore në një sezon, në çdo garë kombëtare.

Po ashtu, ajo vendosi një rekord në Angli duke shënuar 169 gola në një edicion, ndonëse nuk e barazoi apo theu dot rekordin e Barcelonës së Guardiolës në 2012, që realizoi 190 gola.

Kështu u mbyll një sezon i madh, me dështimin e vetëm, atë në Champions, ndërsa Siti rreshtoi triumfet radhazi, Superkupën e Anglisë, titullin kampion, Kupën e Ligës, dhe së fundmi Kupën e Anglisë.

Pati edhe një largim të madh, atë të kapitenit Vinsent Kompani, që deklaroi se mbylli karrierën 11-vjeçare me blutë e Mançesterit, duke fituar thuajse gjithçka. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!