Mançester Siti u kthye tek fitorja në Premier Ligë

schedule16:11 - 3 Janar, 2018

schedule 16:11 - 3 Janar, 2018

Mançester Siti u rikthye tek fitorja në Premier Ligë, menjëherë pas një barazimi të papritur. Në Angli, ndërkaq, vazhdon dueli mes Pep Guardiolës dhe Zhoze Murinjos.

Ky ekip mund të bëjë gjithçka.
Kjo ishte deklarata me besim të patundur e shkruar në reklamat elektronike në tribunat e stadiumit “Etihad” dhe Mançester Siti, bëri vërtet gjithçka edhe këtë herë.
Skuadra më e mirë e Premier Ligës dhe për momentin edhe e Europës, triumfoi 3-1 ndaj Uatfordit, duke pasur sërish në radhët e veta Kevin De Brujnin, që la pas dëmtimin, dhe David Silvën, që u kthye nga Spanja.

Pep Guardiola mund të vazhdojë të jetë krenar.
Deklarata u tha që në minutën e parë kur Rahim Stërling kaloi vendasit në epërsi, ndërsa dominimi vazhdoi gjatë.
Pa kaluar shumë kohë, Siti dyfishoi epërsinë falë një autogoli, por së pari falë lojës së tij të rrjedhshme kolektive.
Guardiola, gjithsesi, nuk mbeti shumë i kënaqur me pjesën e parë, por nuk mund të thoshte veçse fjalë lavdëruese për të dytën.
Kun Aguero shënoi golin e tretë, ndërsa shkëlqyeshëm luajtën Sane, Silva, Stërling, Fernandinjo, Otamendi apo Stouns.
Reagimi i Sitit ishte i menjëhershëm pasi humbi dy pikë në fushën e Kristël Palasit, të parat në vazhdim të 18 fitoreve radhazi.

“Ne folëm për këtë. Ishte hera e parë që humbisnim pikë pas 18 fitoreve dhe reagimin ju e patë që të gjithë. Sidomos ishim shumë mirë në pjesën e dytë, kur luajtëm një futboll fantastik. Gjithsesi, unë jam i shqetësuar për numrin e madh të ndeshjeve që po luajmë në këtë periudhë. Ne po i vrasim lojtarët, thjesht mendoni sesa shumë prej tyre janë dëmtuar në javët e fundit. E di se spektakli duhet të vazhdojë, por kjo nuk është normale. Ky është një gabim i madh në Angli, pasi ju duhet të synoni cilësinë, jo vetëm sasinë”.

Siti është i shkëputur, por jo pa asnjë rival.
Siç mund të pritej, një nga kundërshtarët kryesorë është Mançester Junajtid.
Skuadra tjetër e qytetit mbetet shumë prapa, por suksesi në fushën e Evertonit tregoi se të besuarit e Zhoze Murinjos nuk do të heqin dorë asnjëherë nga pretendimi për titull.
Jo vetëm kaq, por fitorja me golat e Marsialit dhe Lingardit, i dha mundësi Murinjos që të kalonte menjëherë në kundërsulm, pas kritikave të Pol Skoulsit për Pol Pogbanë.

“Mendoj se Skouls di vetëm të kritikojë. Ai nuk bën komente, por vetëm kritikon. Skouls ka qenë një lojtar fenomenal, një nga më të mirët që unë kam parë ndonjëherë në mesfushë, por do të mbahet mend edhe si një analist i keq. Pol Pogba nuk meriton të kritikohet kaq shumë. Shpesh ai luan shumë mirë, ndonjëherë nuk luan edhe aq mirë, diçka normale. Nuk është faji i Pogbasë që fiton më shumë para sesa ka fituar Skoulsi, por kështu e ka futbolli. Përsa i përket rezultateve, unë mendoj se skuadra ime ka një kalendar të keq. Mesa duket unë nuk kaq aq miq sa klubet e tjerë për një kalendar më të mirë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!