Manastirliu: Po diskutohet mbajtja e detyrueshme e maskave në publik, shkëputëm zinxhirin e infeksionit në QSUT

schedule20:52 - 9 Korrik, 2020

schedule 20:52 - 9 Korrik, 2020

Ministrja e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale Ogerta Manastirliu ishte e ftuar këtë të enjte në studion e ABC News me gazetaren Mirela Milori.

Gjatë bisedës Manastirliu theksoi se ndërgjegjësimi i popullatës është shumë i rëndësishëm në këtë fazë të epidemisë së Covid-19.

Diskutime të shumta ka patur edhe mbajtja e maskës nga popullata për të cilën Manastirliu deklaroi se ajo është e detyrueshme në të gjithë aktivitetet me risk të lartë infektimi, siç mund të jetë transporti publik ndërsa shtoi se Komiteti Teknik është duke diskutuar për përdorimin e maskës në ambiente publike.

LEXO edhe: Mos-hapja e pishinave, Manastirliu në Abc News: Po mendojmë për shëndetin pastaj për ekonominë

“Maskat janë të detyrueshme për ato shërbime që janë me risk të lartë siç është transporti publik.

Maskat duhet të jenë maska tekstile që të lejojmë që përdorimi i maskave kirurgjikale ti përdorin stafet mjekësore. Maskat janë obligative në të gjithë këto aktivitete me risk të lartë. Për sa i përket mbajtjes së tyre në publik është duke u diskutuar nga komiteti teknik”.

Ministrja tha se testimi nuk është qëllim në situatën epidemiologjike pasi ai nuk është tregues dhe zgjidhje për koronavirusin.

“Ka një polemikë të madhe në fakt në gjithë botën. Testimi nuk është një qëllim në vetvete sepse mund të bëhet testi sot dhe të rezultosh negativ, sepse virusi mund të jetë duke u inkubuar, dhe mund të testohesh pas dy ditësh dhe të dalësh pozitiv.

LEXO edhe: “Autoambulanca shtesë për urgjencën”, Manastirliu: Si po përgatitemi për vjeshtën

Ajo që është e rëndësishme për ne është që të mos na mungojnë tamponët dhe deri tani nuk kanë munguar, nuk na mungon kapaciteti dhe ne duam të fillojmë testimin molekular edhe në “Qendrën Universitare Nënë Tereza” që të krijojmë një strukturë tjetër.

Ne realizojmë testimet bazuar në hetimin epidemiologjik, në gjurmimin e rasteve duke bërë një testim inteligjent  për të izoluar dhe  për të shkëputur zinxhirin e infeksionit”.

Duke patur parasysh se nga radhët e personelit mjekësor u shënuan dy humbje jete dhe u infektuan edhe infermierë të tjerë, dhe nëse spitalet janë vatra infeksioni, Manastirliu u shpreh se është një fakt që ndodh rutinë në gjithë spitalet e botës.

Sipas saj spitalet janë vende me ekspozim të lartë ndaj infeksionit por nuk pranoi që QSUT të jetë një vatër infeksioni si për mjekët edhe për pacientët.

LEXO edhe: Manastirliu në Abc News: Pse nuk u bëhet tamponi të gjithë atyre që paraqiten në spital

Nuk mund të them se spitali është vatër e shpërndarjes së infeksionit, nuk e pranoj këtë. Ka pasur një infeksion nozokomial në QSUT i cili është izoluar në kohë falë hetimit epidemiologjik dhe masave kundër infeksioneve spitalore që janë marrë në kohë reale falë protokolleve që ekzistojnë.

Është një fenomen që ka ndodhur dhe ndodh rutinë, edhe dje në Londër është mbyllur një spital i cili kishte 70 staf të cili ishin prekur dhe u mbyll gjithë shërbimi i emergjencës. Ne e kemi ndërprerë zinxhirin e infeksionit por mos harroni se spitalet janë vende me ekspozim të lartë ndaj infeksionit.

Për raste të dyshuar për covid ne menjëherë i bëjmë tamponin.  Kemi patur në vëmendje të posaçme personelin shëndetësor, ju e dini se ne kemi futur testin e serologjisë për personelin që ata të jenë të mbrojtur”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!