Ministria e Shëndetësisë po harton një plan për mbulimin maksimalisht të gjithë fëmijëve në vend me vaksinimin e detyrueshëm. Pjesë e këtij plani do të jenë edhe kontrollet në institucionet arsimore publike e private për kartelat e vaksinimit si dhe shtimi i një vaksine të re.
Një vaksinë e re i shtohet kalendarit të vaksinimit të detyrueshëm për moshat 0-18 vjeç në vendin tone. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se ajo është vaksina e Rotavirusit, e cila ka një kosto të lartë dhe është shumë e rëndësishme për parandalimin e sëmundjeve që prektin traktin intestinal, ndër sëmundjet më të shpeshta tek fëmijët.
“Pas rekomandimeve të Këshillit Kombëtar të Vaksinimit dhe Komitetit të Ekspertëve, kemi rishikuar kalendarin e vaksinimit. Një vaksinë e re, Rotavirusi, do t’i shtohet kalendarit të vaksinimi duke filluar nga 1 Tetori, duke e çuar në 12 numrin e vaksinave të detyrueshme dhe duke e përafruar kalendarin tonë me atë të vendeve të Bashkimit Europian”.
Manastirliu paralajmëroi gjithashtu nisjen e një aksioni derë më derë për të vegjëlit.
“Ne kemi një mbulesë vaksinale mbi 95%, por kjo s’do të thotë që të mos merren masa për të ruajtur dhe ta përmirësuar atë, ndaj do të nisim një aksion të detajuar në terren që vaksinimi të mbërrijë te çdo fëmijë”.
Sipas ministres, me nisjen e regjistrimit në çerdhe, kopshte dhe shkolla, Njësitë Vendore të shëndetësisë do të jenë në terren për monitorimin rigoroz të kartelave të vaksinimit në çdo strukturë arsimore, qoftë publike apo private.
Manastirliu i bëri deklaratat gjatë një takimi me strukturat vendore të Shëndetësisë mbi forcimin e mbulesës vaksinave. /ABC News Albania 24/7