Manastirliu nga Qendra Shëndetësore Suk-Roskovec: Fishat e diabetit falas për të moshuarit mbi 65 vjeç

schedule11:12 - 13 Mars, 2023

schedule 11:12 - 13 Mars, 2023

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka inspektuar nga afër Qendrën Shëndetësore Suk- Roskovec në Fier, e rehabilituar sipas standarteve më të mira.
“Ne sot jemi në Suk, pamë nga afër se si programi i rehabilitimit të infrastrukturës së qendrave shëndetësore edhe me mbështetjen e partnerëve tanë, ka fuqizuar shërbimin e kujdesit parësor. Një qendër e cila i shërben më shumë se 4500 banorëve”,- tha Manastirliu.

Së bashku me mjekët e kësaj qendre, Ministrja Manastirliu ka bërë me dije për qytetarët, se fishat për matjen e diabetit për të moshuarit mbi 65 vjeç do të rimbursohen nga shteti dhe pensionistët do t’i përfitojnë falas. “Fishat e diabetit falas për moshën mbi 65 vjeç, ata me terapi orale marrin nga goja marrin 50 fisha për 4 muaj, ndërsa ata që janë me terapi me insulinë marrin 50 fisha çdo muaj”- nënvizoi mjeku i qendrës shëndetësore Suk.

Manastirliu u ndal tek shërbimet socio-shëndetësore ku theksoi se do vijoj përfshirja e 50 psikologëve dhe punonjësve social në kujdesin parësor.
“Shërbimet socio-shëndetësore janë një tjetër aspeket që ne e kemi përfshirë në programin tonë të integruar, të kujdesit shëndetësor dhe atij social me përfshirjen e 50 psikologëve dhe punonjësve social në të gjithë vendin, ku do të vijojmë edhe në këtë vit, me rritjen e numrit të punonjësve social dhe psikologëve”,- u shpreh Manastirliu.

Ambulanca Suk ofron shërbim shëndetësor për 4500 banorë. Rikonstruksioni i kësaj ambulance është bërë nëpërmjet mekanizmit të bashkëfinancimit me bashkinë Roskovec dhe projektin Shëndet për të Gjithë (HAP) në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet qeverisë Zvicerane dhe asaj Shqiptare në sektorin e shëndetësisë.

Në qarkun e Fierit janë 30 qendra shëndetësore dhe ambulance që janë rehabilituar dhe në Bashkinë e Roskovecit janë rehabilituar sipas standarteve më të mira 5 të tilla.
Pas rehabilitimit të 340 qendrave  shëndetësore, gjatë këtij viti fillon rikonstruksioni i 60 qendrave shëndetësore dhe ambulancave të reja në të gjithë vendin nga veriu në jug.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!