Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi sot pushuesit në Tale të Lezhës për vendosjen e Qendrës Shëndetësore dhe të një autoambulance. Ajo ishte në këtë zonë turistike të bregdetit Adriatik posaçërisht për të promovuar këtë shërbim të ri që sipas saj e bën akoma më të sigurtë jetën e pushuesve dhe vizitorëve duke afruar mjete dhe pajisjet e nevojshme për trajtimin e çdo rasti që mund të paraqitet. Ndërkohe bregdeti i Tales do t’i nënshtrohet edhe procesit të dizensektimit, proces që sipas ministres do të vazhdojë deri në muajin shtator.
Gjatë sezonit veror, bregdeti i Tales frekuentohet nga të paktën 20 mijë vizitorë e turistë dhe vendosja e qendrës shëndetësore verore dhe e një autoambulance në shërbim të Turizmit ka qenë një prej kërkesave të vazhdueshme të Bashkisë Lezhë që së fundmi është mundësuar nga Ministria e Shëndetësisë. /abcnews.al