Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektoi qendrën e posaçme të hapur për sezonin veror në zonën e Currilave, e cila është një nga 4 qendrat verore 24 orëshe të hapura në Durrës.
28 qendra shëndetësore verore do të ofrojnë shërbim shëndetësor 24 orë në 7 ditë të javës pranë zonave turistike. Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu kur inspektoi qendrën shëndetësore në Durrës.
“Qendrat shëndetësore verore, po punojnë rreth 130 mjekë dhe infermierë. Në këto vite kemi bërë një kombinim shumë të mirë të punës që bëhet në qendrat shëndetësore nëpërmjet urgjencës kombëtare dhe autoambulancave të cilat janë pozicionuar në pozicione fikse. Kemi përgjatë bregdetit 18 autoambuanca të vendosura në zonat më të frekuentuara”, tha Manastirliu.
Qendrat shëndetësore të hapura nga veriu në jug të vendit, janë pajisur me barnat dhe materialet mjekësore bazë për rastet e urgjencave mjekësore.
“E rëndësishme është të vijojmë me të gjitha trajnimet e nevojshme. Masa që janë të nevojshme që duhet t’i dinë dhe qytetarët”, tha Manastirliu.
Qendrat shëndetësore 24 orëshe pranë zonave turistike do të jenë të hapura deri më 15 Shtator. Ndërsa për herë të parë këtë vit janë shtuar si qendra 24 orëshe qendra shëndetësore e Dhërmiut fshat si dhe qendrën shëndetësore Rrjoll, në zonën e Velipojës. Gjatë vitit të kaluar, rreth 50 mijë pushues morën shërbim në qendrat shëndetësore verore, gjatë sezonit turistik./ABC News Albania 24/7