Manastirliu: Kemi qenë që në fillim të bindur për AstraZenecan, vaksinimi garancia më e madhe

schedule15:20 - 19 Mars, 2021

schedule 15:20 - 19 Mars, 2021

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu takoi nga afër disa nga mësuesit të cilët u vaksinuan ditën e sotme me AstraZeneca në gjimnazin “Qemal Stafa” në kryeqytet. Manastirliu u ndal tek vendimi i djeshëm nga EMA që deklaroi se AstraZeneca është e sigurt dhe efektive, duke theksuar kanë qenë të bindur që në fillim për këtë gjë.

Ministrja theksoi se vaksinimi është garancia më e madhe në luftën përballë COVID, duke shtuar se ditën e sotme është ulur edhe hezitimi i ditëve të para në radhët e mësuesve.

“Kemi qenë që në fillim të bindur për AstraZenecan. Ekspertët tanë na kanë rekomanduar vazhdimin e vaksinimit. Madje sa më shpejt vaksinohesh aq më shpejt mbrohesh. Kjo është mbrojtja dhe garancia më e madhe. Që prej fillimit të vaksinimit të mësuesve, në Tiranë janë hapur 7 gjimnaze si qendra të vaksinimit zonal.

Është ulur ai hezitimi që kemi pasur ditët e para. Ajo që ne kemi ofruar gjithmonë është informacioni i bazuar në shkencë. Vaksinimi është e vetmja mënyrë për të këputur zinxhirin e infeksionit.

Nga ana tjetër, Autoriteti Europian i Barnave që është EMA,  dje ka deklaruar se vaksina e AstraZenecas ofron siguri dhe efektivitet dhe madje mbrojtje edhe më të lartë se është konstatuar në fazat e para. Kemi marrë masa për të vijuar këtë proces të vaksinimit që të gjithë mësuesit të sigurojmë mbrojtjen e tyre. Janë më shumë se 6100 mësues që janë vaksinuar deri tani dhe jemi në pritje të përfundimeve të negociatave për të nisur vaksinim më masiv duke ulur grupmoshat që në një kohë të shpejtë të kemi sa më shumë qytetarë të vaksinuar“, u shpreh ministrja./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!