Në kuadër të fushatës së vaksinimit së fundmi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ka marrë një nismë për të bërë thirrje në çdo bashki që qytetarët të vaksinohen.
Manastirliu këtë të premte ka qenë në fier, nga ku ka kërkuar angazhimin e drejtuesve vendorë në bashkinë e Fierit për të ftuar qytetarët për tu vaksinuar.
“Do të kërkoja angazhimin tuaj në territor, si drejtues vendorë dhe që keni një lidhje të fortë me komunitetet tuaja, që bashkë me ekipin e shëndetësisë, të shkojmë derë më derë, në çdo fshat, në çdo shtëpi, për t’i dhënë mundësi çdo qytetari të mbrohet duke u vaksinuar. Ky nuk është një aksion i zakonshëm, është një aksion në emër të jetës. Ne do të garantojmë përmes një plani të mirëorganizuar, vaksinimin derë më derë, me njësitë e lëvizshme, me strukturat tona në territor”, tha Manastirliu.
Ndër të tjera Manastirliu ka deklaruar se nuk kemi kohë për të humbur ndaj të gjithë duhet të vaksinohen. Ajo bëri me dije se nga e hëna do të vijojë një aksion në çdo universitet për vaksinimin e studentëve.
“Dua t’i bëj thirrje çdo qytetari të vaksinohet jo se e themi ne, po se e thonë ekspertët më të mirë në botë. Se nuk ka rrugë tjetër për të afruar fundin e kësaj pandemie përveçse me vaksinim. Nga ana tjeter, do të nisim të hënën një tjetër aksion, do të jemi në terren në çdo universitet, për vaksinimin masiv të studentëve, si domosdoshmëri për të garantuar mbarëvajtjen e vitit të ri akademik që është në prag”, është shprehur Manastirliu. /abcnews.al