Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka njoftuar se do të dyfishohen ekipet e terrenit të urgjencës kombëtare për të përballuar një sfidën e trajtimit në banesë sipas protokolleve të reja të Komitetit Teknik të Ekpsertëve për rastet ambulatore.
“Dyfishojmë ekipet e terrenit të urgjencës kombëtare, për t’u përballuar edhe me një sfidë tjetër, që është sfida e trajtimit në banesë sipas protokolleve të reja që po miraton Komiteti Teknik i Ekspertëve për trajtimin në shtëpi të rasteve ambulatore”, tha ministrja.
Duke u shprehur se Urgjenca Kombëtare ka përballuar një fluks të konsiderueshëm, Manastirliu siguroi mbështetjen për ekipet e urgjencës mjekësore. “Padyshim vjeshtë-dimri nuk do të jetë i lehtë por jemi përgatitur brenda mundësive tona, jo vetëm me kapacitetet që disponojmë por edhe me stafin e shtuar, ku edhe gjatë periudhës së epidemisë janë 45 personel që i janë bashkuar ekipit të Urgjencës Kombëtare, si edhe mbështetja logjistike nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë.
Edhe 36 autoambulanca të reja do t’i shtohen Urgjencës Kombëtare brenda vitit për të garantuar një shërbim më të mirë, më të shpejtë për qytetarët, sidomos në situatën e epidemisë”, tha Manastirliu.
Duke kërkuar bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve në betejën me COVID19, Ministrja e shëndetësisë tha: “Është në dorën tonë. Nëse duam ta ulim përhapjen e infeksionit, duhet të zbatojmë rregullat. Mbajtja e maskës është tashmë një detyrim për çdo qytetar”, tha Manastirliu./mv. abcnews.al