Manastirliu: Covid 3 gati, hapet kur të ezaurohen kapacitetet tek Infektivi dhe Shefqet Ndroqi

schedule13:45 - 25 Tetor, 2020

schedule 13:45 - 25 Tetor, 2020

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu këtë të dielë  ka zhvilluar një takim me stafin mjekësor në Spitalin Infektiv ku është shprehur se e rëndësishme në këtë situatë është të mos bien pre e lojës së politikës.

Manastirliu në fjalën e saj ka theksuar se situata në të cilën ndodhet vendi në këtë fazë është serioze, por kapacitetet spitalore dhe njerëzore në shërbim të pacientëve Covid janë në gatishmëri.

Sot më shumë se kurrë duhet të kemi të njëjtin angazhim që nuk ka munguar në asnjë moment për të shërbyer pacientëve të prekur me Covid. Këto javë situata është delikate numrat janë të shtuar dhe presim të kemi dhe një rritje të shtrimeve të rasteve në spital krahasuar me disa javë më parë. Jam këtu për të parë nga afër situatën tek spitali Infektiv dhe Shefqet Ndroqi, për të parë kapacitetet që kemi të lira në mënyrë që të jemi në gjendje që të përballojmë situatën. Covid 3 është gati prej disa kohësh bashkë me stafin e mjekëve dhe të infermierëve që kanë qenë dhe duke dhënë shërbim tek spitali Infektiv dhe kjo është bërë më së miri falë punës së të gjithëve”, ka thënë ministrja.

Ndër të tjera ministrja u është përgjigjur edhe akuzave të Partisë Demokratike ku ka theksuar se janë marrë të gjithë masat e nevojshme dhe spitali Covid 3 është gati, nëse duan mund dhe ta vizitojnë.

Sipas saj spitali Covid 3 është gati bashkë me ambientet dhe stafin mjekësor dhe do të hapet në kohën kur mjekët e infektivit të kërkojnë kapacitete shtesë dhe të japin konfirmimin për hapjen e tij.

Manastirliu gjithashtu ka theksuar se janë hartuar të gjithë skenarët e duhur për të përballuar këtë situatë pandemike që ka vënë në vështirësi të gjithë botën.

Kur të ezaurohen kapacitete e dy spitaleve dhe kjo ndodh në baza dinamike ne do të hapim Covid 3 që është pikërisht në spitalin QSUT që është i gatshëm të hapet menjëherë në momentin që ju thoni se janë ezauruar kapacitetet tek dy spitalet Covid. Ju jeni ato të parët që përballeni me këtë të keqe që ka kapluar botën mbarë dhe është e rëndësishme që të jemi të fortë për ta vijuar këtë luftë deri në fund. Është e rëndësishme që ju të  mos kolepsoheni nga politika. E rëndësishme për të gjithë ne është ulja e kurbës së infektimeve nuk ka vend për kolapse. Ne i kemi të gjithë masat e duhura për menaxhimin e situatës, ne kemi shtuar kapacitetet në sistem për të mos prekur sistemet e tjera shëndetësore, jam këtu për të dhënë kurajo dhe të siguroj për mbështetjen e pakushte të qeverisë, ne besojmë te ju dhe do të punojmë pa u ndalur për ofrimin e shërbimit të qytetarëve dhe për ndërgjegjësimin e tyre në mënyrë që ato të kujdesen për shëndetin e tyre dhe të tjerëve.

Kjo nuk është lojë, nëse do të ishte e tillë nuk do ishte e gjithë bota në vështirësi, por është çështje serioze pasi prek shëndetin, nuk duhet të na shqetësojë askush ne nga dritaret e Facebook-un, nga padiumet e politikës dhe nga divani, strukturat janë të gjitha gati. Si mund të thuash se nuk ka spital Covid 3, hajdeni që nesër dhe të shkojmë ta vizitojmë që nesër, por ai do të hapet në momentin që është i nevojshëm një hap i tillë. Janë mjekët e Infektivit ato që e japin një vendim të tillë, dhe janë ato që do e menaxhojnë Covid 3. Gjithashtu spitalet Rajonale janë të përgatitur në lidhje me shërbimet që do të ofrojnë duke zbatuar protokollet përkatëse”, ka thënë ndër të tjera Manastirliu.

Ndërkohë shefja e Infektivit, Najada Çomo në fjalën e saj ka theksuar se dhe pse situata është dinamike, akoma në të dy spitalet Covid ka shtretër bosh.

Gjithashtu ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos merren me kapacitetet nëpër spitale, por të jenë të ndërgjegjshëm për përdorimin e maskës dhe ruajtjen e distancimit fizik.

Është një situatë dinamike dhe sot ne kemi një numër të caktuar shtretërish për pacientët që kanë nevojë për të marrë mjekimin e duhur, janë mbi 50 shtretër të lirë në të dy spitalet Covid. Kemi kapacitete njerëzore dhe spitalore por përpara se të hapim panikun që nuk ka shtretër është e nevojshme që tu thuhet qytetarëve që të mbajnë maskën dhe distancimin fizik pastaj të shqetësohen për kapacitetet mjekësore”, është shprehur mjekja.e.su./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!