Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka inspektuar punimet e fazës së dytë për modernizimin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, e cila pritet të përfundojë brenda vitit.
“Një spital i cili po rindërtohet, me 120 shtretër kapacitet është vërtetë një volum i madh pune në një kohë që ne duam të mbërrijmë, brenda fundit të këtij viti, fillimi i vitit të ardhshëm të mundet që edhe ta mobilijmë dhe ta bëjmë funksional. Puna vijon me intensitet kemi ecur shumë mirë me garfikun e punimeve”,- tha Manastirliu.
Gjatë inspektimit në Pediatrinë e Tiranës, Ministrja Manastirliu foli edhe për hapjen e spitalit të ri të sëmundjeve të brendshme.
“Spitali i ri i sëmundjeve të brendshme, spitali qendror është një spital i cili tashmë është finalizuar dhe tani pritet që ditë pas dite të hapim këtë spital, të çelim dyert dhe ta bëjmë funksional dhe vërtetë është një tjetër investim, i cili jo vetëm do të ndryshojë plotësisht kushtet e shërbimit për një spital sikurse është spitali i sëmundjeve të brendshme, pra që është pikë reference për shumë sëmundje edhe për urgjencën polivalente, por mbi të gjitha është edhe një gur themeli përsa i përket shërbimeve universitare”,– tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se investimet madhore për modernizimin më tej të QSUT-së do të vijojnë edhe këtë vit.
“QSUT do të vijojë të jetë një kantier ndërtimi, sepse puna në QSUT për modernizimin e të gjitha shërbimeve do të vijojë me hapjen e punimeve brenda këtij viti për Spitalin e Kardiokirurgjisë, më pas me punimet për Spitalin Psikiatrik dhe sigurisht të gjithë ato investime që kanë të bëjnë jo vetëm me infrastrukturën, por edhe me me pajisjet biomjeksore, me rritjen e cilësisë së teknologjisë dhe inovacionit e cila patjetër do te sjellë edhe rritje të cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve”,- nënvizoi Manastirliu.
Pas përmbylljes së fazës së parë të investimit në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, me tre shërbime të rëndësishme si Shërbimi i Urgjencës; Shërbimi i Reanimacioni; Sallat e operacionit për ndërhyrjet kirurgjikale infantile, ka vijuar faza e dytë e investimit në këtë kompleks spitalor, e cila përfshin rehabilitimin e plotë të Pediatrisë së Përgjithshme dhe të Specialiteteve. Faza e dytë e këtij projekti konsideron të gjithë rehabilitimin dhe përforcimin nga themelet të të gjithë strukturës të Pediatrisë së Përgjithshme, ku janë 120 shtretër dhe përfshihet shërbimi i onko-hematologjisë, dializës, pneumologjisë, etj. Me përfundimin e fazës së dytë kompletohet i gjithë korpusi i Spitalit Pediatrik në QSUT./abcnews.al