Rey Manaj është në telashe në Spanjë. Sulmuesi lushnjar u dënua nga klubi për shkak të sjelljes së tij, por para pak ditësh u rikthye të stërvitej me pjesën tjetër të skuadrës dhe u mendua që do të ishte i grumbulluar për ndeshjen e sotme ndaj Numancia.
Luis Miguel Ramis, trajneri i Albacete, në konferencën e zakonshme për shtyp u shpreh se do të shihet sot nëse sulmuesi do të jetë pjesë e lojtarëve të grumbulluar. Gjithsesi është zbuluar më pas nëse do të jetë apo jo edhe lushnjari i gatshëm për ndeshjen kundër Numancia.
Mediat spanjolle zbulojnë se Manaj nuk është futur në autobusin e skuadrës, por është larguar nga qendra stërvitore me mjetin personal. Kjo i jep fund dyshimeve për sulmuesin, i cili edhe sot nuk mund të luajë me skuadrën e tij.
Kjo normalisht e penalizon për grumbullimin e radhës me kombëtaren, Gjithsesi trajneri Reja ka folur me elozhe për lushnjarin, i cili në fakt është paraqitur mirë në ndeshjet e fundit me Shqipërinë. Mbetet të parë nëse do të jetë në listë për ndeshjet e kombëtares me Andorrën dhe Francën. /abcnews.al