Manaj, “mbret” në Turqi/ Klubi i Sivasspor i uron rikthimin në fushë, “Ylli” i Kombëtares ka 4 gola në 8 ndeshje

schedule17:19 - 26 Nëntor, 2024

schedule 17:19 - 26 Nëntor, 2024

Nuk ishte dita e duhur për ta bërë.

Një ditë e ftohtë, dhe një fushë vende-vende e mbuluar nga bora dhe akulli nuk janë kushtet e përshtatshme për një futbollist që kthehet nga dëmtimi, por Rej Manaj u deshi me patjetër disa minuta.

Sulmuesi, që nuk luajti dot në dy ndeshjet e fundit të Kombëtares shqiptare në Ligën e Kombeve, doli në fushë para kohe, duke imponuar vullnetin e tij ndaj trajnerit dhe mjekëve të klubit.

Manaj u aktivizua vetëm në minutën e 78’-të, por për pak e la shenjën e tij, duke tentuar golin, në sfidën që Sivaspori e barazoi pa gola në fushën e vet ndaj Kasëmpashait. Ekipi mik luajti më mirë, por mundej edhe të kishte humbur nëse “ylli kuqezi” do të kishte qenë pak më i saktë në goditje.

Menjëherë pas ndeshjes, klubi i Sivasporit i bëri një përshëndetje Manajt në faqen e tij zyrtare në Instagram.

“Mirëse u ktheve Mbret”, ishte komenti.

Manaj, që vjet u shpall Këpuca e Bronzit e Superligës turke duke shënuar 18 gola, këtë herë e ka nisur sezonin më ngadalë, i ndaluar edhe nga dëmtimet, me futbollisti i Kombëtares shqiptare që ka regjistruar 4 gola, ndonëse ka qenë në fushë më pak se 600 minuta në 8 ndeshje, nga 13 të luajtura në edicionin 2024-2025 të elitës së Turqisë. /abcnews.al