I ndodhi si në 7 qershor të këtij viti. Rej Manaj atëherë humbi penallti në ndeshjen Shqipëri-Serbi për eliminatoret e Kupës së Botës, duke mos u kthyer dot në hero në “Arenën Air Albania”.
Pas portierit serb, Petroviç, një tjetër gardian e ndaloi sulmuesin kuqezi, ndonëse jo plotësisht.
Halifa Ababakar e priti 11-metërshin e gjuajtur nga 27-vjeçari shqiptar, veçse këtë herë Manaj pati fat dhe sërish e dërgoi topin në rrjetë. Ishte minuta e 60-të e ndeshjes së javës së parë të Championsit të Azisë, që skuadra e tij Al Sharjah po e luante në shtëpi ndaj rivalit Al Garafa.
Pra një duel mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Katarit, një derbi I Gjirit Persik, të cilin lojtari i Shqipërisë shkëlqeu fort. Edhe pse në dizavantazh 0-2, Al Sharjah barazoi falë Manajt dhe Usman Kamarasë, por sërish miqtë realizuan për 3-2.
Pikërisht në minutën e fundit, sulmuesi shënoi golin më të bukur të ndeshjes, direkt nga goditja e dënimit, ndërsa më parë kishte nxjerrë vetë jashtë loje me të kuq portierin e Al Garafës, Ababakar.
Për shkak të vonesave të shumta, arbitri dha 10 minuta shtesë në duelin e Ligës së Kampionëve të Azisë, dhe pikërisht në minutën e 100-të, skuadra nga Emiratet arriti fitoren me golin e shënuar nga mesfushori brazilian, Igor Koronado. Manaj ka nisur t’i ngjajë yllit tjetër kuqezi, Jasir Asani, që edicionin e kaluar shënoi 9 gola në 10 ndeshje në Champions./abcnews.al

