Mama Cax, modelja që frymëzoi botën me historinë e saj ndërron jetë papritur

schedule12:03 - 21 Dhjetor, 2019

schedule 12:03 - 21 Dhjetor, 2019

Modelja dhe aktivistja Mama Cax, emri i vërtetë i të cilës është Cacsmy Brutus, ndërroi jetë në moshën 30-vjeçare.

Familja publikoi një foto të modeles në Instagram sot duke njoftuar vdekjen e saj:

“Me dhimbje dhe trishtim të jashtëzakonshëm njoftojmë ndarjen nga jeta të Cacsmy Brutus (Mama Cax)”.

“Të thuash se Cax ishte një luftëtare, do të ishte nënvlerësim,” shkruhet në postim. “Si një e mbijetuar e kancerit, ajo ishte mësuar t’i merrte sfidat përsipër dhe t’ja dilte mbanë me sukses. Me të njëjtin përkushtim ajo luftoi edhe gjatë ditëve të fundit në Tokë.”

Kur ishte adoleshente modelja vuajti nga kanceri por e fitoi betejën.

“Si një e mbijetuar nga kanceri, ajo ishte mësuar të kalonte me sukses sfidat e jetës. Ajo luftoi shumë për të jetuar në ditët e fundit në tokë. Jemi të vetëdijshëm se kjo dhimbje do ndihet në gjithë botën dhe nuk do jetë e lehtë për askënd,”- shkroi familja e 30-vjeçares.

Në fillim të këtij muaji, Cax njoftoi ndjekësit se kishte pasur dhimbje të forta barku dhe shkoi në urgjencë në Londër për shkak të mpiksjes së gjakut. Postimi i fundit në Instagram zbulon se modelja qëndroi në spital për një javë dhe ndërroi jetë të hënën.

Mama Cax, e cila festoi 30-vjetorin në nëntor, lindi në Nju Jork, por u rrit në Haiti. Gjatë viteve të fundit të jetës, punoi si blogere, aktiviste, modele dhe organizoi një sërë takimesh për motivimin e të tjerëve.

Tre vite më parë, modelja bëri xhiron e rrjetit dhe frymëzoi mbarë botën me historinë e saj.

Në moshën 14-vjeçare, Cax u diagnostikua me osteosarkomë, një formë e rrallë e kancerit të kockave. Asokohe, mjekët i dhanë vetëm tri javë jetë. Megjithatë ajo ia doli t’i mbijetonte sëmundjes, pavarësisht çmimit që iu desh të paguante. Mjekët kryen një operacion, pa sukses, nga i cili Cax humbi njërën këmbë.

Pavarësisht vështirësive, modelja përfundoi studimet Bachelor dhe Master për Studime Ndërkombëtare. Ajo studioi në Nju Jork, Francë, Tunizi dhe Romë.

Historia e saj dhe dëshira për të mos u dorëzuar e kthyen Caz në një nga më të përfolurat. Modelja debutoi me sukses në Javën e Modës në Nju Jork duke marrë pjesë në sfilatat e Tommy Hilfiger dhe Savage x Fenty. Gjithashtu në vitin 2016 u cilësua nga Glamour si një nga gratë e vitit. Ndër të tjera, bashkëpunoi me Olay, Target dhe Asos.

Ideja për të hapur një blog i lindi në 2013-n, gjatë një udhëtimi në Azinë Juglindore. Qëllimi i saj ishte të ndante eksperiencat e fituara gjatë udhëtimeve, por shumë shpejt u bë muzë për shumë njerëz e firma veshjesh.

“Synimi im është të përfshij në botën e modës imazhin e një njeriu që ecën rrugëve me një protezë, por gjithsesi ndihet i bukur si brenda ashtu dhe jashtë! Ndihem shumë mirë kur njerëzit më thonë: ‘Bravo!’”, tregoi ajo për Mirror në 2016-n.

Ishin  të shumtë ata që shprehën dhimbjen e thellë për humbjen e mikes së tyre.

Rihanna postoi në instagram një foto me mbishkrimin:

“Një mbretëreshë. Një bukuri e jashtëzakonshme që dha më të mirën në fushatën@fentybeauty , me prezencën e saj duke inspiruar miliona njërëz në të gjithë botën. U prefsh në paqe motër! /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!