Dronë pa pilot do të fillojnë të prodhohen nga Mali i Zi në bashkëpunim me një kompani nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas autoriteteve malazeze kjo nismë është në vazhdën e punës që po bën qeveria për të forcuar industrinë vendase të mbrojtjes, ndërsa seria e parë e këtij prodhimi do të dhurohet në Ukrainë.
Mehmet Zenka, kryetari i Unionit Demokratik i Shqiptarëve në një intervistë në “Balkan Update” në ABC News, u shpreh se Mali i Zi po forcon pozitat.
Gjithashtu shtoi se prodhimi i dronëve ndikon në zhvillimin e rajonit.
“Vendimet për të rritur buxhetet e mbrojtjes, janë shumë me rëndësi, duhet thënë se SHBA është një partner shumë i rëndësishëm i Malit të Zi. Ne Ballkan kemi gati edhe kriza të tjera…Mali i Zi po merr disa hapa konkrete që sistemin e vet të mbrojtjes ta avancojë”, tha ai.
I ndalur te procesi i integrimit, Zenka tha se Mali i Zi dhe Shqipëria e meritojnë të jenë pjesë e familjes evropiane.
“Mali i Zi ka kohë që ka qenë një ndër liderët për mbylljen e kapitujve. Edhe Shqipëria dhe Mali i Zi e meritojnë të jenë pjesë e familjes europiane. Mali i Zi duhet të zgjedhë e të bashkohet në familje pro evropiane apo atyre destruktive, por tashmë me qeverinë aktuale retorika është e qartë me fjalor evropian.
/abcnews.al/