Një familje kroate e cila prej vitesh jeton në qytetin e Beranës në verilindje të Malit të zi, është bërë objekt sulmi me natyrë raciste. Për këtë arsye kryefamiljari ka vendosur të kërkojë azil diku tjetër.
Në vazhdim ju sjellim një kronikë nga Mali i Zi. Media e atjeshme raporton për një incident të rëndë me një familje kroate që prej vitesh jeton në qytetin e Beranës në pjesën verilindore të vendit. Megjithëse i njohur për përbërjen shumetnike e shumëkonfesionale të banorëve, kroati Igor Tomkiq, thotë se pas kërcënimeve mbi baza etnike dhe peripecive të shumta nuk i ka mbetur asgjë tjetër, pos që të braktis vendlindjen dhe – të kërkojë azil në ndonjë vend tjetër. Së pari ia thyen hundët, më pas i vun zjarrin shtëpisë. Autoritetet, ndërkaq pohojnë se po bëjnë çmos që të kapin sulmuesit.
Ky është Igor Tomkiq, kroat i lindur dhe rritur në komunën e Beranes në Mal të Zi. Prej vitesh kishte hapur një dyqan produktesh ushqimore dhe jeton nga mundi e djersa e tij. Mirëpo së fundmi peripecitë e tij, për shkak të përkatësisë etnike kroate, nisën të përshkallëzohen. Nga sulmet verbale u kalua në ato fizike. Në pikë të ditës është rrahur brenda objektit të tij.
“Rashë nga goditjet, për një moment e humba vetëdijen”– ka deklaruar Tomkiq për televizionin shtetëror malalez. Megjithëse autorët u kapën, ndërkohë sulmet nuk rreshtën. Këto janë pamjet e para tre ditëve kur sulmues të panjohur, i vunë zjarrin dyqanit të tij, megjithëse ishte nën mbrojtjen e policisë.
Kroati, pas gjithë asaj që i ka ndodhur sikurse saktëson gjatë një viti e gjysmë, thotë se ka humbur jo vetëm durimin, po edhe shpresat:
“Nëse nuk ka ndonjë rezultat, më besoni, s’më mbetet asgjë tjetër veçse të kërkoj azil në ndonjë shtet ku ka ligj”- paralajmëron Igor Tomkiq.
Reagimi i politikës ishte i ashpër: Kryeministri malazez ka bërë thirrje për kapjen dhe dënimin e autorëve, ministri i Brendshëm, po ashtu, por frika në familjen Tomkiq, nuk zhbëhet – me fjalë! /abcnews.al