Mali i Zi, ekonomia informale ka barrë kryesore për defiçitin

schedule23:02 - 28 Dhjetor, 2018

schedule 23:02 - 28 Dhjetor, 2018

Autoritetet malazeze kanë paralajmëruar një betejë të ashpër ndaj ekonomisë informale. Kryeministri Dushko Markoviç bëri të ditur se 9000  ndërmarrje në vend kanë të regjistruar vetëm nga një punonjës.

Ekonomia informale është defiçiti kryesor në Mal të Zi dhe ata që punojnë në mënyrë të jashtëligjshme duhet ta dinë se po ua grabisin ardhmërinë fëmijëve tanë. Kështu ka deklaruar këto ditë kryeministri malazez, Dushko Markoviç, në një takim me ekonomistët e vendit ku kryesisht u diskutua për bërjen zap të ekonomisë ‘gri’, përkatësisht për masat që duhet të ndërmerren me qëllim të vendosjes së rregullit. Luftimi i ekonomisë informale, sipas Markoviçit do të sillte përfitime për të gjithë.

“Nuk është e logjikshme që në Mal të Zi të keni nëntë mijë kompani me nga një të punësuar! Çka është kjo? Mashtrim! Mashtrim, se ne i konsiderojmë subjekt afarizmi. Kush mundet në Mal të Zi dhe në botë të mund të realizojë profit me një të punësuar? Nuk mundet!”- bëri të ditur kryeministri malazez duke drejtuar gishtin nga ato firma për të cilat u shpreh se, sikurse tha në këtë mënyrë vjedhin paratë shtetërore:

“A është e logjikshme që në Ulqin tri ndërmarrje në fushën e industrisë dhe të pylltarisë të kenë tre të zënë me punë? Nuk është e logjikshme! Jo që nuk është e logjikshme, por nuk është e arsyeshme. Kjo është vjedhje e parasë shtetërore. Kjo është shkatërrim i resursit tonë. Përgjigjen për këtë duhet ta japim ne, ne që jemi këtu, por për këtë na duhet mbështetja juaj”, iu drejtua Markoviç këtë fillim javë ndërmarrësve nga Oda Ekonomike e Malit të Zi.

Ai bëri të ditur se fillim-vitin e ardhshëm të ndërmerren masa të vendosua për luftimin e ekonomisë informale, por edhe se për bizneset do të ketë benefite konkrete në bazë të taksave komunale. /abcnews.al