Maldini: Maradona pasion i pastër, tregojani lojtarëve modernë këtë video

schedule19:17 - 26 Nëntor, 2020

schedule 19:17 - 26 Nëntor, 2020

Mirupafshim i madhi Diego, do të mbetesh gjithmonë një hero për mua. U prehsh në paqe miku im“, shkroi dje Paolo Maldini në rrjetet sociale rreth humbjes së legjendës argjetinase. Ish-mbrojtësi i famshëm italian është përballur disa herë kundër tij në fushën e blertë.

Milan-Napoli ishte një nga duelet më të bukura dhe emocionuese të viteve ’90 në Serie A. Ish-kapiteni i Milanit, aktualisht drejtor teknik i kuqezinjve, flet edhe më gjatë rreth “El Diez” në një deklaratë për Sky Sports.

Një moment i vështirë dhe i rëndë. Ata që kanë dashuruar futbollin dhe ata që kanë luajtur përkrah apo kundër tij, kanë humbur një pjesë të rinisë dhe pasionit të tyre. Shihni videot e tij, dallohet qartë gëzimi dhe lumturia që transmetonte.

Imazhi më emblematik mbetet miqësorja që luajti në baltën e Acerra. I duhet treguar të gjithë lojtarëve modernë, të cilët ankohen për cilësinë e fushave. Diego ishte pasion i pastër, ka qenë një mjeshtër në këtë aspekt. Komunikuam me mesazhe në periudhën që kishte ditëlindjen, dukej në gjendje të mirë.

 

Maradona gjatë një ndeshje kundër Milanit

Kujtimet e mia me të lidhen me ndeshjet, ka qenë një kundërshtar i jashtëzakonshëm dhe i pabesueshëm. Dikush që e do futbollin e ka të vështirë ta quajë ‘armik’. Ka pasur gjithmonë një sjellje shembullore, e godisje me shkelm dhe nuk reagonte kurrë. Nuk harrohet gëzimi që i ka dhuruar tifozëve.

Ishte një tip kontrovers, njerëzit mund të flasin çfarë të duan për të, por Diego mbetet një ikonë e futbollit. Napoli i tij ishte kundërshtari më i fortë për ne, kishim një rivalitet të madh me ta në vitet ’90. Maradona i përkiste një niveli tjetër, me shumë mundësi është më i miri i historisë“, deklaron Maldini. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!