“Maldini çon Milanin në majë, Juve favorit për titullin! CR7 jo më i miri, Lukaku si unë”

schedule10:56 - 22 Janar, 2021

schedule 10:56 - 22 Janar, 2021

George Weah, fitues i “Topit të Artë” dhe shumë trofeve me Milanin, ka folur për kampionatin italian dhe sigurisht kuqezinjtë janë në fokusin e tij. Afrikani flet edhe për garën për titull dhe rendit arsyet pse Juventusi mbetet favorit, ndërkohë që në intervistën për “Gazzetta Dello Sport”, nuk mund të mos kalojë në sitë tre nga sulmuesit më të spikatur në Serie A momentalisht: suedezin Zlatan Ibrahimovic, juventunin Cristiano Ronaldo dhe goleadorin e Interit, Romelu Lukaku.

GARA PËR TITULL – “Milani ka filluar një rrugë të re, brilante. Kultura e fitoreve është pjesë e ADN-së së kuqezinjve. Maldini është një i madh dhe një mik i mirë i imi, ai ishte një kapiten i jashtëzakonshëm. Ai është një punëtor i palodhur, ai e di se çfarë duhet për të arritur në nivelet më të larta. Interi, Juventusi dhe Napoli mbeten rivalët e Milanit. Nuk e di nëse do ta fitojnë titullin kampion, por do të luftojnë deri në fund”.

“Juve favorit për titullin? Së pari, mendoj kështu sepse i kam mbështetur bardhezinjtë që në fëmijëri. Së dyti për shkak se ata e kanë fituar titullin kampion në nëntë sezonet e fundit. E shikoja Serie A dhe futbollin francez në Afrikë, ku na shfaqnin imazhe të Platini dhe u lidha me Juventusin. Pastaj jeta më çoi te Milani, ku gjeta një familje dhe një familje të veçantë. Milani më dha gjithçka, por unë vazhdoja ta mbështesja Juventusin”.

 

SULMUESIT E SERIE A – “Ibra është i fortë dhe ka besim te vetja, por ka edhe më shumë pas kësaj. Milani nënshkroi me të sepse ai mund të jetë shumë i dobishëm për lojtarët e rinj. Ai është një shembull dhe një frymëzim për ta. Gjithmonë e ke të përqendruar dhe jep gjithçka për pasionin e tij. Nëse punoni shumë dhe nuk e humbni pasionin, atëherë mosha është thjeshtë një numër. Kujtoni pak Pietro Vierchowood, Franco Baresin dhe Paolo Maldinin. Ata luajtën në nivele të larta deri kur shkuan 40 vjeç”.

“Ronaldo është gjithashtu dëshmi se si ndërthurja e pasioni dhe punës së palodhur sjellin rezultate të papritura. Ai nuk është më i miri në botë, por stërvitet aq shumë që të bëhet më i miri. Jam një tifoz i Ronaldos, sepse qëndroi i përulur dhe fitoi gjithçka. Ai luftoi për të qenë këtu ku është tani”.

“Lukaku? Ai po e tregon se sa i fortë është. Jo gjithmonë ia kanë dhënë meritat që i takojnë dhe historia e tij është e ngjashme me timen. Kur u largova nga Franca dhe u bëra pjesë e Serie A, njerëzit mendonin se nuk do t’ia dilja. Kampionati italian ishte shumë i fortë. Unë ia dola më së miri dhe mendoj se edhe Lukaku po bën të njëjtën gjë. Ai po përmirësohet dhe tani është një sulmues më i kompletuar”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!